Një rast i pazakontë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm brenda Qendrës së Mbajtjes në Prishtinë, ku një i dyshuar që ndodhej në ndalim për një vepër tjetër penale është kapur me substancë narkotike, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 01:00 të mëngjesit të 30 prillit 2025, gjatë një kontrolli ndaj të ndaluarit Gurakuq Pireva, 41-vjeçar, zyrtarët e sigurisë kanë zbuluar rreth 3 gramë substancë të dyshuar si kokainë, e fshehur në çorapin e tij.
I njëjti kishte përfunduar në mbajtje për një rast të mëhershëm të vjedhjes së rëndë, mirëpo me zbulimin e lëndës narkotike, ndaj tij është iniciuar edhe një rast i ri për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Pireva, sipas burimeve të Sinjalit, ka pranuar se është përdorues i rregullt i narkotikëve.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, është marrë vendim që ai të mbahet në ndalim për 48 orë në kuadër të hetimeve për të dy rastet.
Autoritetet hetimore tashmë janë duke zhvilluar procedurat e nevojshme për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe mënyrën se si lënda narkotike ka përfunduar në posedim të të ndaluarit brenda një institucioni të sigurisë.