Mbështetësi i njohur i Lëvizja Vetëvendosje, Mentor Llugaliu, i cili shpesh ka qenë kritik i ashpër ndaj Hashim Thaçi dhe partive opozitare, kësaj radhe ka drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe mënyrës se si është menaxhuar çështja e kandidaturës për presidente.
Në një reagim publik, Llugaliu tha se LVV ka bërë gabim të madh duke mos e kandiduar Vjosa Osmani, duke vlerësuar se nëse ajo do të ishte propozuar, opozita nuk do ta bojkotonte seancën e Kuvendit, pasi sipas tij do të rrezikonte të fajësohej për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
Ai akuzoi drejtuesit e Vetëvendosjes për kalkulime politike dhe përpjekje për eliminim të Osmanit nga skena politike.
Sipas tij, në vend që të propozohej Osmani dhe të shmangej kriza, LVV u përpoq ta largojë atë nga gara dhe më pas t’ia atribuojë fajin opozitës për mungesë votash.
Llugaliu paralajmëroi se kjo qasje mund t’i kushtojë rëndë Vetëvendosjes në zgjedhjet e ardhshme.
“Në zgjedhjet e ardhshme Vjosa Osmani ose do t’i prijë listës së LDK-së, ose një liste qytetare. Në të dy rastet Vetëvendosje do të dëmtohet rëndë dhe me plot meritë – për shkak të kalkulimeve, mashtrimeve dhe eliminimeve”, shkroi ai.
Ai shtoi se qytetarët nuk ia kanë dhënë 51 për qind të votave Vetëvendosjes për të bllokuar institucionet, por për të zgjidhur problemet e vendit.
“Shteti nuk është institucion psikiatrik ku shërohen komplekse e trauma fëmijërie. Shteti nuk është pronë e dikujt edhe nëse i merr 51%. Qytetarët këtë mandat nuk e kanë dhënë për bllokada, por për zgjidhje të problemeve shtetërore në një kohë kur bota po përballet me luftëra dhe kriza”, shkroi ai.
Në fund të reagimit, Llugaliu përdori edhe gjuhë shumë të ashpër ndaj drejtuesve të pushtetit, duke i akuzuar për mashtrime dhe ego politike.













