Akullin e marrëdhënieve të ftohta mes ShBA dhe Kurtit nuk do ta shkrijë as ceremonia e 20 janarit, në Capitol Hill, gjatë të cilës administrata demokrate zëvendësohet prej asaj republikane. Kryengjarja e jetës politike amerikane, me ç’rast Donald Trumpi betohet si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, do të shënohet me pjesëmarrje historike presidentësh e udhëheqësish nga mbarë bota, por edhe me shpërfillje të shumë të tjerëve. I vetmi fatlum deri më tani tek i cili ka mbërritur zarfi i ftesës është kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Kështu, ai ka gjasë të jetë i vetmi lider nga rajoni që ftohet për të marrë pjesë në ceremoninë në Capitol Hill. ‘Ortaku’ i tij që e ndihmoi në zgjedhjet e majit të vitit 2024, kryeministri Albin Kurti nuk është ftuar deri më tani. Në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë, ftesën e kanë vlerësuar si tejet të rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve me shtetin më të fuqishëm në botë.
Col MEHMETI
Vetëm dhjetë ditë kanë mbetur deri në Ceremoninë Përuruese ku presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, e merr zyrtarisht mandatin si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ceremonia tradicionale në ndërtesën e Capitol Hillit do të jetë kryengjarje botërore; aty është ftuar për të marrë pjesë edhe presidenti kinez, Xi Jinping.
Kjo ngjarje, gjatë të cilës Trumpi bën betimin solemn për të ruajtur e mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, ka edhe rëndësi diplomatike. Ashtu siç është etabluar tradita, ceremonitë e përurimit presidencial janë momente simbolike ku udhëheqës e dinjitarë të huaj me pjesëmarrjen e tyre shfaqin solidaritet e farkëtojnë aleanca të reja apo i përforcojnë ato ekzistuese.
Derisa lista e të ftuarve nuk është përmbyllur, emri më i apostrofuar si pjesëmarrës potencial është ai i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, por të cilit nuk i ka mbërritur ende ndonjë ftesë.
Një mysafir i shquar, që është përfolur po kaq shumë, është presidenti brazilian, Jair Bolsonaro. Sipas raportimeve të mediave perëndimore, ftesa për pjesëmarrje në ceremoni kanë pranuar edhe kryeministrja italiane, Georgia Meloni dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Mickoski i vetmi nga rajoni që merr ftesë
Nga udhëheqësit në rajon vetëm kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tashmë ka marrë ftesë për të qenë i pranishëm në ceremoninë e paraparë më 20 janar. Kjo është bërë e ditur të enjten mbrëma nga zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski.
“Kryeministri ka marrë ftesë, që është një gjë e rrallë. Ai me gjasë është i vetmi nga rajoni që do të marrë pjesë në përurim”, ka thënë Nikoloski në një emission në TV Alfa.
“Është një nder i madh, një privilegj i madh dhe diçka që flet shumë, jo vetëm për vendin, por edhe për atë personalisht, për atë sa ka përvojë dhe sa vlerësohet prej vendit më të fuqishëm në botë”.
Sipas tij, kjo do të jetë një mundësi e mirë për ta shtuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.
“Ne duhet të jemi të mençur e të ndërtojmë partneritete që janë të ndershme, që nuk janë vetëm produkt intereash, por edhe pozicionesh e vlerash të përbashkëta”, ka shtuar Nikoloski.
Ndryshe, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë inaguruese për Trumpin, kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar vizitë më 18 janar në Shtetet e Bashkuara, ku janë paraparë plot takime e diskutime me figura drejtuese në Washington.
Nga vendet e tjera në rajon edhe Greqia ka pranuar ftesë për ceremoninë në Capitol, porse kjo ftesë i është bërë ambasadores greke në Washington, Katerina Nasika.
Mungon ftesa për Kurtin
Ndërkohë deri më sot nuk është bërë e ditur nëse ftesa për ceremoninë në Washington kanë marrë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti. Ndonjë njoftim nuk ka pasur as nga ambasada e Kosovës në Washington.
Fundi i mandatit të qeverisë Kurti përkon me ardhjen e administratës së re amerikane — porse raportet konfliktuale deri në ftohje thuajse të plotë kanë shënuar historinë përgjatë katër viteve edhe me administratën e presidentit Biden.
I vetmi udhëtim i Kurtit në ShBA që mori njëfarë vëmendje qe ai i bërë në korrik të vitit 2022. Në takimin e bërë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, projektori i vëmendjes më fort pati rënë të Osmani sesa te Kurti.
Thuajse e padobishme, madje gati private, ishte cilësuar vizita e dytë e Kurtit në ShBA, në gusht të vitit të kaluar, kur ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të demokratëve në Çikago. Në agjendën e tij nuk pati asnjë takim të rëndësishëm me ndonjë zyrtar në Washington, paçka se njoftimet nga Zyra e Kryeministrit promovonin takime të niveleve të ulëta me politikanë nga Vanuatu, Samoa, Andorra e Grenada.
“Kjo është vizita më e gjatë që një kryeministër ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkura”, kishte thënë me doza mburrje Kurti.
Nga betimi te ballotë e vallëzimet
Ceremonia përuruese, që mbahet mesditën e së hënës, më 20 janar, shënon kalimin paqësor të pushtetit nga Joe Bideni te Trumpi, i cili kësisoj merr mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara pas atij të parit (2017-2021). Siç janë të fiksuara protokolet zyrtare, ngjarja mbahet në ndërtesën e Capitolit.
Në fillim të ceremonisë i pari që e bën betimin është zëvendëspresidenti JD Vace, që pasohet më tej nga Trumpi. “Betohem solemnisht se do të kryej me besnikëri Detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, dhe do ta jap më të mirën për ta ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, janë fjalët me të cilat presidenti i ri amerikan e bën betimin tradicional përpara drejtuesit të Gjykatës Supreme, John Roberts.
Ai njashtu mban fjalimin përurues në Capitol Hill, kurse ceremonia më pas vazhdohet me ngjarje të tjera, ku përfshihen ballo e vallëzime. Procesioni përurues në Pennsylvania Avenue ndiqet nga miliona amerikanë.
Ceremonia e sivjetshme ka shënuar rekord edhe me mbledhjen e paparë të fondeve prej 170 milionë dollarësh nga emrat e korporatave më të mëdha amerikane, si Google, Microsoft, Meta, Amazon, OpenAI CEO Sam Altman, dhe Apple CEO Tim Cook. E gjithë ngjarja do të kalojë nën masa të rrepta sigurie, sado që zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk presin ndonjë trazim a protestë përgjatë ceremonisë.
Sidoqoftë, sulmi i fundit terrorist në New Orleans ka shtuar masat e sigurisë. Garda Kombëtare e Kolumbisë do t’i angazhojë rreth 7800 ushtarë për siguri, ku përfshihen edhe kontrollet e trafikut dhe stacionet patrolluese. Në gatishmëri do të jenë edhe mijëra agjentë federalë, policë e zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit.
Një traditë e vjetër
Në ditën që presidenti e bën betimin për detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, pushteti bartet paqësisht nga njëra administratë te tjetra. Kushtetuta e ShBA kërkon që presidenti të jetë qytetar i lindur në Amerikë, të ketë jetuar aty për së paku katërmbëdhjetë vjet, si dhe të ketë mbushur moshën mbi tridhjetë e pesë vjet.
Derisa në Kushtetutë specifikohet betimi që duhet ta bëjë presidenti i ri, aty nuk thuhet asgjë për ceremoninë përuruese.
Presidenti i sapozgjedhur me familjen e tij kalon disa ditë para përurimit në Blair House, e cila është Shtëpia e Mysafirëve në Presidencë.
Mëngjesin e ceremonisë, presidenti dhe familja e tij tradicionalisht meshojnë në një kishë që e zgjedhin vetë. Ata vazhdojnë për në Shtëpinë e Bardhë ku iu dëshirohet mirëseardhje nga familja presidenciale në largim; nga aty, presidentët, ai në ardhje dhe ai në largim, udhëtojnë me limozinë drejt Capitol Hillit.
Komiteti Përurues Presidencial është entitet legjal që mbledh dhe shpërndan fondet për ngjarjet që shoqërojnë ceremoninë, siç janë ballot e paradat përuruese.
Edhe ushtria e ShBA luan rol madhor në këto ceremoni, meqë presidenti është komandanti kryesor i forcave të armatosura.