Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, përmes një deklarate publike, u ka bërë thirrje ish-të burgosurve politikë dhe qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrje masive në Marshin e 17 shkurtit, me moton “Drejtësi, jo politikë”.
Në deklaratë, përfaqësuesit e kësaj shoqate shprehin indinjatën e tyre ndaj, siç e quajnë, shkarjes së drejtësisë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Të fyer nga kjo gjykatë e ngritur nga Kosova, por e përdorur nga krimi antishqiptar ruso-serb dhe jo vetëm, si dhe nga simbolika poshtëruese e caktimit të seancave të ‘deklaratave përmbyllëse’ në procesin kryesor kundër Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, pikërisht në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ne, Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë, mbështesim Marshin Protestues të thirrur nga shoqata ‘Liria ka Emër’ për datën 17 shkurt 2026”, thuhet në deklaratë.
Më tej, SHBPK u bën thirrje degëve të saj në të gjithë Kosovën, ish-të burgosurve politikë, ish-ilegalëve, si dhe mbarë qytetarëve, që t’i bashkohen protestës kundër asaj që e cilësojnë si padrejtësi të Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të Republikës së Kosovës, bartësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe shtetit të Kosovës.
Shoqata po ashtu fton për bashkëpunim shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe institucionet lokale, për ngjeshjen e radhëve dhe krijimin e kushteve për pjesëmarrje sa më masive në Marshin e 17 shkurtit.
“Liri për çlirimtarët”, përfundon deklarata e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.















