
Negociatat për një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit pritet të rifillojnë në ditët në vijim në Egjipt, pasi Hamasi ka pranuar parimisht të lirojë të gjithë pengjet e mbetura.
Megjithatë, grupi kërkon bisedime të mëtejshme për çështje të pazgjidhura, përfshirë çarmatimin, një afat të qartë për tërheqjen izraelite nga Gaza dhe garanci që Izraeli nuk do të rifillojë luftën pas lirimit të pengjeve.
Sipas BBC, Hamasi është përballur me presion për të pranuar disa nga pikat e planit të paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili është përfshirë personalisht në procesin negociator dhe po ushtron presion që lufta të përfundojë.
Ndërkohë, në Gaza vazhdojnë sulmet ajrore izraelite, pavarësisht thirrjes së presidentit Trump për ndalimin e bombardimeve.
Nënkryetari i Autoritetit Palestinez, Hussein al-Sheikh, ka përshëndetur ndërhyrjen e Trumpit dhe shpreh gatishmërinë e AP për të punuar drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, lirimit të pengjeve dhe të burgosurve, dërgimit të ndihmës humanitare në Gaza dhe një zgjidhjeje politike mbi bazën e formulës me dy shtete.