Në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë është zhvilluar sot një takim ndërmjet FARSH dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, me qëllim hartimin e planit të bashkëpunimit dypalësh për periudhën 2025–2028.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjenerallejtënant Arben Kingji, vlerësoi progresin që ka bërë FSK në transformim, modernizim dhe performancë, sidomos në stërvitjet dy- dhe shumëpalëshe.
Kingji theksoi rolin e rëndësishëm të FSK për sigurinë e Kosovës dhe rajonit, duke siguruar delegacionin e FSK të kryesuar nga kolonel Haki Hoti për përkushtimin maksimal të Shqipërisë në mbështetjen e nevojave të FSK, në fusha si arsimimi, stërvitjet, shkëmbimi i eksperiencës dhe avancimi i bashkëpunimit mes dy forcave.