Kanë kaluar shtatë muaj që nga aksidenti i rëndë në lagjen Veternik, ku një kamion i kompanisë “Sallahu” shkaktoi panik dhe dëme të mëdha. Edhe pse nga ky aksident u lënduan 11 persona dhe dhjetëra automjete u shkatërruan, Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka përfunduar hetimet dhe është në pritje të një ekspertize nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Më 11 tetor, rreth orës 14:30, një kamion me logon e kompanisë “Sallahu” humbi kontrollin, doli nga korsia dhe u përplas me disa automjete të tjera.
Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Prokuroria sqarime mbi ecurinë e hetimeve. Deri më tani ata kishin heshtur, ndërsa sot kanë bërë të ditur se janë në pritje të një ekspertize ligjore.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është në pritje të ekspertizës ligjore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML). Për më shumë informacione do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Insajderi kishte kontaktuar kompaninë, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjen e Gazetës, por kanë bërë komente jashtë temës.
Çfarë dihet deri tani për aksidentin?
Aksidenti ndodhi ditën e premte, kur shoferi i kamionit, për arsye ende të paqarta, kaloi në korsinë e kundërt, duke shkaktuar kaos në kryeqytet.
11 persona u lënduan, dhe 8 prej tyre u trajtun në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për tretman mjekësor.

Gjendja e tyre u raportua si stabile nga drejtori i Klinikës së Emergjencës, Naser Syla, i cili tha se asnjëri prej tyre nuk kishte pësuar lëndime të rënda.
“Tetë pacientë janë për momentin në emergjencë. Gjendja e tyre është stabile. Nuk kanë lëndime të rënda”, konfirmoi Syla për Gazetën Insajderi.
Nga ana tjetër, dëmet materiale të aksidentit vlerësohen të jenë të mëdha.
Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, tha se njësia e trafikut rrugor është duke hetuar shkaqet e aksidentit, por deri më tani nuk ka pasur informacione të reja.
“Tmerr, e kemi pa vdekjen me sy”
Njëri nga të aksidentuarit, i cili ndodhej në veturë me gruan dhe nënë shpjegoi për atë që e përjetuan.
Ai shtonte se bashkë me gruan ishin nisur që nënën ta dërgonte tek mjeku, dhe papritmas u përplasën nga kamioni.
“Papritmas e kom parë në sekonda një kamion që ka ardhur në drejtim tonin. Isha në shiritin e dytë, sa kam pasur mundësi kam ikur nga shiriti im pak, s’kam guxuar të rrezikoj. Ka qenë një veturë e bardhë, ka ardhur në drejtim timin, kam ikur me një shpejtësi aq sa ka mundur, më është dukur që nuk po ec vetura”.
“Tmerr të shohësh vdekjen me sy, ka qenë një ‘bombë’ e hatashme”, u shpreh ai.
Pajaziti thotë se nga kjo ngjarje, ai, gruaja dhe nëna e tij kanë pësuar lëndime, ndërsa thekson se kjo e fundit ishte pa vetëdije.
“Kam dalë në atë pjesën e bashkëshortes nga pjesa ime që më ka goditur kamioni, unë kam ikur pa më godit. Falë Zotit kemi shpëtuar, kemi lëndime, nëna ka qenë pa vetëdije, kemi shkuar në ambulantë dhe jemi trajtuar. Nëna ka qenë shumë keq, sepse ashtu-kështu ka qenë sëmurë, ka marrë lëndime të qafës sidomos, sepse ka qenë në karrige në mes, mbrapa”, deklaronte Besim Pajaziti për Klan Kosovën.
I aksidentuari tregon më tej se është frikësuar se mos po i digjet edhe vetura.
“I kam thënë bashkëshortes, po e qesim nënën jashtë sepse mos po na digjet vetura. Nëna pastaj me trauma ka qenë”, tha Pajaziti, teksa u uroi shërim të shpejtë të gjithë të përfshirëve.
Theksojmë se shoferi i kamionit u arrestua dhe u dërgua në paraburgim me urdhër të prokurorit, si rrjedhojë ky është informacioni i fundit që është dhënë mbi këtë aksident.