Qytetarët e Kosovës do të paguajnë më shtrenjt energjinë elektrike prej hiq më pak se 16.1% duke filluar nga muaji i ardhshëm, por jo të gjithë do ta paguajnë këtë shtrenjtim.
Kjo pasi ZRRE ka vendosur tarifa të reja, por ato nuk do të vlejnë edhe për katër komunat në veri të vendit të banuara me shumicë serbe, kjo pasi kompania që operon në këte pjesë Elektroserver vendos tarifa vet, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Këtë e ka pranuar vet ZRRE sot duke thënë se nuk përcakton tarifa në këtë pjesë, pasi sipas marrëveshes për energji mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqit, kjo e drejt i takon Elektroserverit.
Ndaj kësaj situate ka reaguar gazetari kosovar, Vehbi Kajtazi, i cili e ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, të cilin e quajti “patriot me plis”, raporton Veriu.info.
Sipas Kajtazit Albin Kurti e ka coptuar Kosovën duke ia mundësuar Serbisë t’i përcaktojë tarifat e energjisë në katër komunat veriore.
Ai ka thënë se Kurti është “patriot” që mbulon tradhëtinë ndaj vendit me aksione policore.
Statusi i Kajtazit:
“Lexojeni kete shkrim dhe shiheni se si “patrioti me plis”, Albin Kurti e ka coptu Kosoven. Ai ia ka mundesu Serbise qe t’i percaktoje tarifat e energjise ne kater komuna veriore te Kosoves. Patrioti qe mbulon tradhetine ndaj vendit me aksione policore, po konfirmohet se eshte udheheqesi me i demshem per Kosoven.
Qysh po te rrin plisi?“
Kompetencat e rrjedha nga marrëveshja për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë më 2022, i garantojnë kompanisë “Društvo Elektrosever D.O.O” që t’i përcaktojë vet tarifat përfundimtare për konsumatorët në katër komunat veriore. ZRrE e ka vërtetuar sot se ajo nuk i përcakton tarifat e kompanisë, të cilën e ka licencuar gati tri vite më parë. “Društvo Elektrosever D.O.O” është në pronësi të shtetit të Serbisë.
“Društvo Elektrosever D.O.O”, një kompani e shtetit serb e regjistruar me degë në Kosovë, i përcakton vet tarifat për konsumatorët fundorë, banorë të katër komunave veriore, tha sot Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).