Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të stacionit policor të Podujevës. Ata dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” gjatë reagimit të tyre në një rast të përleshjes.
Siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta Sinjali, ata janë: Arlind Toverlani, Riad Mehmeti dhe Ilaz Fejzullahu.
Incidenti ka ndodhur më 16 janar të vitit 2025 në Podujevë ku disa persona ishin duke u përleshur fizikisht mes vete dhe zyrtarët policorë në ato momente kanë qenë duke kaluar me veturë private por në uniformë zyrtare dhe kanë kontaktuar me palët e përfshira në rast
Ata dyshohet se nuk kanë arrestuar ndonjë nga të dyshuarit dhe nuk kanë marrë ndonjë veprim tjetër dhe të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Sidoqoftë, bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se këta zyrtarë policorë nuk kanë arrestuar ndonjë nga të dyshuarit dhe nuk kanë marrë ndonjë shënim apo veprim tjetër kështu që palët e dyshuara janë larguar nga vendi i ngjarjes”.
Sipas IPK-së njëri nga policët kishte lidhje familjare me një nga të dyshuarit.
“Dyshimet e hetuesve të IPK-së janë se kjo kishte ndodhur pasi që njëri nga zyrtarët policor kishte lidhje familjare me njërin nga të dyshuarit.”
“Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të tre zyrtarëve policorë. IPK falënderon Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e treguar dhe angazhimin e përbashkët drejt fuqizimit të integritetit policor. IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”.