
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ka promovuar platformën “Prishtina Work”, e cila supozohet të shfaqë punët e kryera nga qeverisja e tij.
Megjithatë, qytetarë të ndryshëm që kanë dërguar ankesa në Gazetën Insajderi thonë se shumë nga informacionet e publikuara nuk korrespondojnë me realitetin.
Sipas qytetarëve, Rama pretendon se ka vendosur një ambulancë në lagjen Bledi, ndërkohë që aty nuk ekziston asnjë.
“Në lagjen Bledi nuk ka ambulancë fare, do të thotë që po iu referohet ambulancës në Kolovic (te Vreshtat) dy herë si punë të kryer, e që në fakt në lagjen e Bledit nuk ka ambulancë fare,” thotë një qytetar.




Po ashtu, rruga “Shpëtim Robaj” në drejtim të parkut të Germisë është e papunuar përveç pengesave të vendosura gjatë katër viteve të fundit.
“Ai ka publikuar një video të rrugës “Bedri Berisha”, duke pretenduar se është punë e kryer,” thotë një tjetër qytetar.

Qytetarët kritikojnë platformën, duke e cilësuar si një mjet për të dhënë një imazh të rremë të përparimeve, ndërkohë që realiteti tregon mungesë të investimeve dhe shërbimeve të nevojshme.