Ushtruesi i detyrës së Sekretari i Përgjithëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Xheladin Krasniqi ka zgjedhur veten Drejtor i Zyrës për të Drejtën e Autorit (ZDA) në të njëjtën Ministri ku është shef. Pra edhe shefi kryesor i administratës në këtë ministri edhe zgjedh veten vartës të kësaj pozite, pra drejtor i Zyrës për të Drejtën e Autorit. Por si po shkelet ligji në sy të ministrit, Hajrulla Çeku dhe çka duhet të dimë për këtë rast të pazakontë.
Xheladin Krasniqi është zgjedhur Drejtor më datën më 8 korrik 2024, gjatë kohës kur edhe e ushtron pozitën e Zv. Sekretarit të Përgjithshëm. E gjithë kjo ka ndodhur me një shpejtësi të pazakonshme, në një afat rekord e të paparë deri më tani, sepse konkursi është shpallur më datën 30 maj, ndërsa njoftimi për kandidatin e suksesshëm është shpallë më datë 08.07.2024.
Konkursi për këtë pozitë është mbyllur më datë 30 qershor 2024 dhe për këto 8 ditë është emëruar komisioni vlerësues, është bërë verifikimi paraprak (03.07.2024), është mbajtë testimi me shkrim (05.07.2024) dhe është mbajtë intervista (08.07.2024) me gojë dhe është shpallë kandiati i suksesshëm (Xheladin Krasniqi) të gjitha këto procedura për vetëm 8 ditë.
Emërimi i Xheladin Krasniqi para syve të Ministrit të Kulturës, Hajrulla Ceku në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme është një rast unik i keqpërdorimit të detyrës zyrtare të të dy autoriteteve më të larta të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (Ministrit Hajrulla Çeku dhe Sekretarit të Përgjitshëm Xheladin Krasniqi).
Ky emrim qartazi është në kundërshtim Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe me Ligjin Nr. 06/L -011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Neni 1 I Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit si qëllimi ka përcaktuar:
“Qëllimi i këtij ligji është forcimi i integritetit të sektorit publik dhe garantimi i kryerjes së detyrave publike në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente në shërbim të interesit publik nëpërmjet identifikimit, parandalimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesave të zyrtarëve”.
Në Nenin 6 të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit thuhet: “ Konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare”.
Ky nen pikërisht shpjegon rrethanën e lindjes së konfliktit të interesit në rastin e emrimit të Xheladin Krasniqi në pozitën e Drejtorit në MKRS, sepse sipas burimeve të sigurta brenda MKRS, në komisionin e vlerësimit kanë qenë tre vartës të Sekretarit Xheladin Krasniqi, të cilët edhe kanë votuar për emërimin e tij në pozitën vartëse të sekretarit të përgjithshëm.
Vartësit e Krasniqit në këtë komision ishin: Feim Hoxha, Drejtor i Departamentit Ligjir, Taulant Balaj, Menaxher i Njësisë së Burimeve Njerëzore dhe për çudi edhe një zyrtar tjetër nën nivelin e pozitës së Drejtorit e që ishte Fatmir Kastrati, zyrtar igjor, i cili njëkohësisht është edhe miku i Krasniqit dhe që është pothuajse në çdo komision që emëron Sekeretari Krasniqi në këtë Ministri.
Më tutje, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në Nenin 11 ka specifikuar punët e ndaluara për zyrtarin, e që janë: 1. Zyrtarit i ndalohet që të kryejë punë të tjera nëse: 1.1. mund të keqpërdorë informacionin zyrtar për interesa private; 1.2. punët e tilla mund të ndikojnë në paanshmërinë e ushtrimit të detyrës publike dhe cenojnë respektimin e parimeve të konkurrencës së lirë; 1.3. angazhime të tilla mund të dëmtojnë reputacionin e institucionit; 1.4. angazhimi ka të bëjë me zgjedhjen, emërimin apo caktimin në institucione vartëse të institucionit punëdhënës, me përjashtim kur një angazhim i tillë është paraparë me ligj të veçantë.
Nga kjo normë shihet se janë shpërfillur të gjitha ndalesat që i ka vënë ligji. Përveç asaj që u shtjellua më lartë, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit ka përcaktuar kufizimet e zyrtarit të lartë publik për emërim në pozita drejtuese.
Në Nenin 18 të këtij Ligji thuhet: “Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike 1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: 1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre” – thuhet ndër të tjera në Nenin 18.
Emrimi i Xheladin Krasniqin në pozitën e Drejtorit të ZDA është bërë në kundërshtim të plotë me paragrafin 1 të Nenit 18 të Ligjit, sepse në këtë paragraf shumë qartë është përcaktuar kufizimi në emërim në një pozitë udhëheqëse nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre, kjo jo që është brenda kufizimit kohor dy-vjeçar pas përfundimit të mandatit, por edhe më tutje është situate e njejtë e ndërveprimit, meqë Krasniqi edhe më tutje vijon të ushtrojë pozitën e Zv. Sekretarit të Përgjithshëm e në anën tjetër emërohet Drejtor- pozitë vartëse e Sekretarit të Përgjithshëm.
E gjithë kjo situatë e vijimit të shkeljes së normave ligjore është një vazhdimësi e abuzimit me legjislacionin në fuqi me qëllim vetëm të krijimit të mundësisë së qëndrimit në pozitë të Sekretarit të Përgjithshëm të një njeriut të Ministrit Çeku.
Shkeljet ligjore me rastin e emërimit të zv. Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS, Xheladin Krasniqi si Drejtor i ZDA nuk përfundojnë këtu, sepse shkelja më e rëndë është pikërisht kryerja e veprës penale “konflikti I interesit”, e përcaktuar me Nenin 417 Kodi nr. 06/l-074 Penal i Republikës së Kosovës.
Nacionale ka mësuar se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është duke e shqyrtuar lëndën për konflikt interesi për këtë konkurs.
Ndërkohë, Nacionale ka siguruar dokumetet që tregojnë se konkursi është pezulluar pas ankesës në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës së një kadidate që kishte aplikuar në këtë pozitë.
Për rikujtim, Nacionale kishte raportuar edhe më herët është që Xheladin Krasniqi është emëruar zv Sekretar në MKRS në mënyrë të jashtëligjshme nga Ministri Çeku.