Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se qytetarët nuk mund të ndryshojnë Qendrën e Votimit nga një komunë në tjetrën përmes KQZ-së. Ky proces është i ndërlidhur drejtpërdrejt me adresën e vendbanimit të regjistruar zyrtarisht nga vetë votuesi.
Nëse një qytetar dëshiron të votojë në një Qendër tjetër brenda së njëjtës komunë, ai mund ta bëjë këtë përmes KQZ-së. Por në rastet kur bëhet fjalë për ndërrim të komunës, atëherë është e domosdoshme që votuesi fillimisht të ndryshojë adresën e tij zyrtare në Zyrën e Gjendjes Civile ose përmes platformës digjitale E-Kosova.
Pasi të bëhet ndryshimi i adresës dhe të konfirmohet nga Shërbimi i Gjendjes Civile, të dhënat e reja për vendbanimin regjistrohen automatikisht në Regjistrin Qendror Civil, duke mundësuar më pas përcaktimin e Qendrës së re të Votimit në komunën përkatëse.
Njoftimi i KQZ-së:
“Çdo ndryshim i adresës së banimit deri më 29 gusht 2025, do të pasqyrohet në platformën e KQZ-së https://qv.kqz-ks.org dhe rrjedhimisht në Listën Votuese.Gjithashtu, deri më 29 gusht 2025, KQZ do të vazhojë të ofrojë shërbimin për votuesit që dëshirojnë ta ndryshojnë Qendrën e Votimit brenda komunës”.
“Gjatë periudhës, e cila ka filluar më 28 qershor dhe do të përfundojë më 29 gusht, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë/verifikojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre: përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi”.