Një vjedhje e pazakontë ka tronditur familjen Mema në fshatin Vataj të Kaçanikut, ku nga shtëpia e e tyre janë “avulluar” para dhe stoli ari me vlerë rreth 70 mijë euro.
Sinjali mëson se rasti u zbulua mbrëmë, pasi viktima B. Mema, i cili jeton në Gjermani, kishte telefonuar familjarët e tij, duke u kërkuar që të shkonin në shtëpi dhe të merrnin disa para të fshehura në oxhak, me qëllim kryerjen e një obligimi financiar.
Dy familjarët, të cilët kishin çelësin e shtëpisë, hapën derën dhe shkuan tek vendi “sekret”, ku me një kabllo ishin fshehur dy kavanoza me para dhe stoli ari. Por, për habinë e tyre, kavanozat ishin bosh.
Sipas viktimës, aty ishin rreth 30 mijë euro para të gatshme dhe stoli ari në vlerë prej 40 mijë eurosh, të cilat ai i kishte kontrolluar për herë të fundit një vit më parë. Një muaj më parë kishte qenë në Kosovë, por nuk i kishte verifikuar.
Në vendin e ngjarjes dolën hetuesit rajonalë dhe Forenzika Rajonale, të cilët konstatuan se shtëpia nuk kishte shenja thyerjeje apo demolimi.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar Policinë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve janë duke vazhduar.