Paaftësia e Albin Kurtit të krijojë qeveri për nëntë muaj me radhë duket se e ka zhgënjyer goxha shumë edhe Mentor Llugaliun, figurë aktive në rrjete sociale që njihet për mbështetje të kryeministrit në detyrë
Llugaliu pati një postim të gjatë në Facebook, ku foli për zhgënjimin e tij me mënyrën se si Kurti veproi përgjatë vitit, duke mos dashur asnjëherë që ta krijojë njëmend qeverinë e re.
”Në vend që të ishin mjet për ndrrimin e pushteteve në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve, zgjedhjet në Kosovë janë shndërru në mjete të mbijetimit politik të Albinit”, shkroi Llugaliu.
Ai përmendi edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, për të cilin tha se me shumë më pak vota se Kurti arrinte t’i formonte të gjitha institucionet në Kosovë.
”Dikur Hashimi me 10-15% vota më pak se që ka sot Albini, bënte qeverinë, zgjedhte nga presidenti e deri te pastruesi në shkollat fillore të ndonjë katundi të humbun në p.s., sot Albini me 42-43% të votave e kam një përshtypje që nuk mundet me zgjedh as tv-kanalin në shtëpinë e tij”, vazhdoi më tej Llugaliu, i cili nga fjalët që shkruante dukej mjaft i zhënjyer.
Më tej, ai tha se Kurti ka dështime të shumta në qeverisje dhe se tash do të jetë e vështirë për të që të korrë rezultat të mirë më 28 dhjetor, pasi që populli po kthjellet dalëngadalë.
Në fund, Llugaliu edhe një herë shprehu mllefin e tij për ish-qeveritë e kaluara, mirëpo tha se tash ndodhet në depresion politik për shkak të shpresës së vjedhur nga Albin Kurti.














