Qeveria siriane dhe aleatët e saj të premten e mirëpritën heqjen përfundimtare të sanksioneve më të rënda që i ishin vendosur vendit dekadave të fundit.
Kongresi i Shteteve të Bashkuara i kishte futur në fuqi ato që njiheshin si sanksionet e Ligjit të Cezarit ndaj Qeverisë dhe sistemit financiar të Sirisë për ta ndëshkuar presidentin e atëhershëm, Bashar al-Assad, për abuzimin e të drejtave të njeriut gjatë luftës civile gati 14-vjeçare që nisi më 2011, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ministria e Jashtme e Sirisë përmes një deklarate të publikuar të premten i falënderoi Shtetet e Bashkuara për heqjen e sanksioneve dhe tha se ky veprim “do të kontribuojë në lehtësimin e barrës ndaj popullit sirian dhe do ta hapë rrugën për një fazë të re të rimëkëmbjes dhe stabilitetit”.
Kjo ministri u bëri thirrje komunitetit sirian të biznesit dhe investitorëve të huaj që “t’i eksplorojnë mundësitë për investime dhe të marrin pjesë në rindërtim”. Sipas Bankës Botërore, rindërtimi i Sirisë ka kosto prej 216 miliardë dollarësh.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë, Abdulkader Husrieh, tha në një deklaratë se shfuqizimi i Ligjit të Cezarit do ta lehtësojë riintegrimin e vendit në sistemin financiar ndërkombëtar.
Turqia, Arabia Saudite dhe Katari, aleatë rajonalë të pushetit të ri sirian që drejtohet nga presidenti Ahmed al-Sharaa, gjithashtu e mirëpritën heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.
Gjithashtu të premten, Britania e Madhe, e cila më herët ua ka hequr sanksionet e saj Qeverisë së Sirisë dhe institucioneve financiare siriane, iu vendosi sanksione të reja organizatave dhe individëve për të cilët tha se janë “të përfshirë në dhunën kundër civilëve” në Siri














