Sic edhe u raportua për suspendimin e dy eprorëve të Policisë së Kosovës, mes tyre edhe Kapitenit Agim Vitia, mbi dyshimet e rënda për spiunazh.
Por, hetimet e fundit kanë zbuluar se akuzat ndaj tij kanë qenë thjesht spekulime dhe hamendësime, të cilat jo vetëm që kanë cenuar rëndë imazhin e tij personal, por edhe kanë diskredituar vetë Policinë e Kosovës dhe institucionet e sigurisë.
Si nisi dyshimi?
Sipas burimeve të Sinjalit, gjithë dyshimi është ngritur mbi një screenshot të gjetur në telefonin e një të dyshuari nga Prokuroria Speciale dhe AKI. Në atë screenshot ishte një komunikim mes avokatit serb Dejan Vasiq dhe kapitenit Vitia. Në këtë bisedë, avokati e kishte pyetur kapitenin se a ishte arrestuar një klient i tij për krime lufte. Vitia, në cilësinë e përgjegjësit për njësinë që hetonte krimet e luftës, kishte kthyer një përgjigje zyrtare se ky person nuk ishte arrestuar për krime lufte.
Më pas, avokati Vasiq ia kishte dërguar screenshot-in një personi tjetër, për t’i dëshmuar se klienti i tij nuk ishte arrestuar për krime lufte, por për një çështje tjetër.
Ky veprim u mor si bazë për ngritjen e dyshimeve ndaj Kapitenit Vitia, duke e futur atë në llupën e AKI-së dhe Prokurorisë Speciale – për një akuzë aq të rëndë sa “spiunazhi”.
Hetimi që dështoi
Pas sekuestrimit të telefonit të kapitenit Vitia dhe ekzaminimit të detajuar forenzik, burimet e Sinjalit konfirmojnë se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Përkundrazi, është provuar se komunikimi i tij me avokatin ishte vetëm në nivel zyrtar, në përputhje me përgjegjësitë e tij si oficer policor.
Këto rezultate tashmë i janë bërë të ditura edhe Prokurorit Specia, Bekim Kodraliu, i cili pritet shumë shpejt të pushojë hetimin ndaj tij. Në momentin që kjo ndodh, Kapiteni Vitia pritet të kthehet në detyrë, duke hequr kështu njollën që i është vënë padrejtësisht.
Skandal me pasoja të rënda
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si Policia e Kosovës, AKI dhe Prokuroria Speciale trajtojnë informatat dhe ndërtojnë akuza për çështje të një rëndësie kaq të madhe. Suspendimi dhe hetimi i një eprori policor për një vepër të tillë të rëndë, pa pasur prova konkrete, përbën jo vetëm një gabim profesional dhe institucional, por një skandal që minon besimin e publikut në këto institucione.
Ky rast duhet të shërbejë si alarm se hetimet nuk mund të nisen mbi bazë spekulimesh dhe supozimesh, sepse çdo veprim i tillë shkatërron karriera, cenon reputacione dhe dëmton rëndë imazhin e Policisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.