Kryeministri në detyrë, Albin Kurti shkroi për matjet e Qendrës amerikane të Kërkimeve Gallup, të cilat nxorën se gjatë dekadës së fundit, përqindja e kosovarëve që thonë se jetojnë mirë është rritur nga 11% (në vitin 2014) në 51% (2024).
“Në Indeksin e Vlerësimit të Jetës të Gallup të këtij viti, Kosova dallohet si vendi me rritjen më të madhe të mirëqenies së raportuar”, shkroi Kurti në një postim në X.
“Në vitin 2014, vetëm 11% e popullsisë raportonte se po përparonte; deri vitin e kaluar, ai numër ishte rritur në 51%, që përfaqëson më shumë se gjysmën e popullsisë”, shtoi ai.
Si qeveri, Kurti tha se janë “krenarë” që “kemi krijuar një mjedis të përshtatshëm për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”.
Gallup raportroi për një trend pozitiv në nivel global lidhur me mesataren e njerëzve që janë të kënaqur me mirëqenien e tyre. Numri i atyre që e vlerësojnë jetën e tyre pozitivisht po rritet me kalimin e viteve, ndërsa i atyre që thonë se po vuajnë po zvogëlohet.