Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e 16 kutive të votimit, të cilat i takojnë vendvotimeve të komunave të ndryshme të vendit.
Nga ky numër i përgjithshëm, 5 kuti votimi i përkasin zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ndërsa 11 kuti të tjera janë nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.
Sipas Rregullores Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), një kuti votimi rekomandohet për rinumërim në rast të mospërputhjeve të konstatueshme, siç janë: kur numri i nënshkrimeve në listën e votuesve është më i madh se numri i fletëvotimeve në kuti, ose kur numri i nënshkrimeve është më i vogël se numri i fletëvotimeve.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet në ambientet e QNR-së dhe pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.