Prokuroria e Specializuar në Hagë ka përmbyllur fazën e saj në rastin kundër krerëve të UÇK-së. Me dorëzimin e të gjitha provave dhe përfundimin e paraqitjes së dëshmitarëve – gjithsej 125 në numër dhe mbi 3 mijë prova materiale – tani topi kalon në fushën e mbrojtjes.
Para se të vazhdohet me fazat e ardhshme të procesit, nesër në Hagë do të mbahet një konferencë për ecurinë e çështjes, ku pritet të diskutohen hapat e radhës.
Në këtë konferencë do të shqyrtohen mocionet e avokatëve të mbrojtjes për rrëzimin e disa prej akuzave, dëshmitarët e mundshëm, si dhe paraqitja e rastit nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave. Gjithashtu, do të përcaktohen afatet për procedurat në vijim dhe koha që kanë në dispozicion avokatët për dorëzimin e mocioneve për hudhjen e aktakuzës.
Avokatët e krerëve të UÇK-së kanë paralajmëruar se nëse mocionet e tyre nuk pranohen, do të thërrasin dëshmitarë në mbrojtje të klientëve të tyre.
Prokurorja e Specializuar, Kimberli West, e vlerësoi lart guximin e dëshmitarëve që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre,” tha ajo.
Nga ana tjetër, mbrojtja mbetet e bindur se rasti i Prokurorisë është i dobët dhe i pabazuar.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, theksoi se provat e dorëzuara kundër klientit të tij nuk qëndrojnë.
“Sipas meje, ky rast dhe provat kundër z. Thaçi janë shumë të dobëta. Në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet e nisura nga raporti i Martyt nuk kanë thuajse asnjë lidhje me ato që janë paraqitur në sallën e gjyqit. Jam shumë optimist për rezultatin”, tha Misetiq.
Ai shtoi se janë të zhgënjyer nga kohëzgjatja e paraburgimit prej 4 vjet e gjysmë dhe theksoi se kjo çështje ka mundur të përfundojë më herët.
Ngjashëm është shprehur edhe avokatja e Jakup Krasniqit, Venketswari Alagendra.
“Mbrojtja ka qëndruar e palëkundur në përkushtimin për të vërtetën dhe drejtësinë. Strategjia jonë ka qenë gjithmonë e bazuar në fakte dhe integritet,” thuhet në reagimin e saj.
Alagendra bëri të ditur se mbrojtja tani do të ndjekë hapat proceduralë për të çuar përpara çështjen, me synimin që procesi të përfundojë sa më shpejt.
Avokati i Rexhep Selimit, David Young Roberts, u shpreh i bindur në pafajësinë e klientit të tij.
“Pres një analizë të drejtë dhe të detajuar të provave. Z. Selimi ka qenë prezent në çdo seancë dhe ka bashkëpunuar plotësisht me gjykatën. Pas 4 vjetësh e gjysmë larg familjes, ai mbetet optimist dhe beson në drejtësinë që do të triumfojë në fund”, tha ai.