Është bërë publik një vendim i vitit 2024 në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku tregohet se Salih Mustafa kishte refuzuar që të plotësonte formularin që parashihte deklarimin e pasurisë së tij, proces ky që përfshihej në zbatimin e urdhrit që i ishte shqiptuar për zhdëmtim.
Vendimi i cili konstatonte se Mustafa kishte shkelur urdhër gjyqësor, duke refuzuar që ta plotësojë këtë formular, ishte marrë më 16 dhjetor 2024, ndërsa u bë publik më 15 korrik 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjykatësi i Vetëm: KONSTATON se z. Mustafa ka shkelur një urdhër të mëparshëm gjyqësor duke refuzuar të plotësojë Formularin e deklarimit të mjeteve”, thuhet në vendim.
Përveç kësaj, aty ishte konstatuar se Mustafa ka refuzuar vazhdimisht që të ndërmarrë veprime për të përmbushur detyrimet e tij ndaj viktimave dhe nuk ka ndihmuar në identifikimin e pasurisë së tij.
“KONSTATON se z. Mustafa ka refuzuar vazhdimisht të ndërmarrë veprime për të përmbushur detyrimet e tij ndaj viktimave dhe nuk ka ndihmuar në identifikimin e pasurive”, thuhet në vendim.
Një person fizik apo juridik (që nuk specifikohet), është urdhëruar që të dorëzojë dokumentet që janë kërkuar brenda 30 ditëve.
Ndërsa, raporti gjithëpërfshirës lidhur me pasurinë e Mustafës, ishte vendosur që të dorëzohet deri më 28 shkurt 2025.
Pasi ishte njoftuar nga Administratorja që Mustafa nuk kishte plotësuar formularin, Gjykatësi i vetëm kishte urdhëruar që të plotësonte këtë formular më së voni deri më 7 tetor 2024, por ai nuk e kishte bërë këtë, duke shkelur kështu një urdhër gjyqësor.
“…urdhëroi z. Mustafa që ta plotësonte Formularin e Deklaratës së Mjeteve pa vonesë dhe më së voni deri të hënën, më 7 tetor 2024. Z. Mustafa nuk e bëri këtë, duke shkelur urdhrin gjyqësor. Kjo ishte hera e dytë që z. Mustafa kishte mundësi të bashkëpunonte për zbatimin e Urdhrit për Dëmshpërblim dhe sërish nuk e bëri”, thuhet në vendim.
Ndonëse Mustafa ishte informuar për mënyrën e pagesës vullnetare, ai nuk ishte përgjigjur për të njoftuar nëse ka ndërmend të paguajë.
Për më tepër, në vendimin mbi pagesën e dëmshpërblimeve, gjykatësi i vetëm urdhëroi regjistruesen të informonte Mustafën për mënyrat e pagesës vullnetare. Edhe pse është informuar, aty thuhet se ai nuk është përgjigjur nëse ka ndërmend të paguajë.
“Gjykatësi i Vetëm konstaton se z. Mustafa ka refuzuar vazhdimisht të ndërmarrë ndonjë veprim në përputhje me detyrimet e tij dhe nuk ka dhënë ndihmë për të identifikuar pasuritë për qëllime të ekzekutimit të Urdhrit për Dëmshpërblim”, thuhet në vendim.
Më pas, Administratorja kishte filluar një vlerësim të pavarur të pasurisë së Mustafës, ku kishte kërkuar nxjerrje të urdhrave ndaj personit fizik/juridik për të ndihmuar në këtë proces.
“Gjykatësi i Vetëm rikujton se, në përputhje me nenin 53 të Ligjit dhe Rregullat 200 dhe 202, të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë duhet të bashkëpunojnë pa vonesë. Urdhrat për sigurimin e dokumenteve dhe të dhënave janë të autorizuara sipas ligjit”, thuhet në vendim.
Përveç kësaj, në vendim thuhet se u konstatua se informacioni i kërkuar ishte i nevojshëm për të përcaktuar statusin e pasurisë së Mustafës i cili nuk cenonte të drejtat themelore të tij. Kështu, raporti i përgjithshëm për vlerësimin e pasurisë për dorëzim u shty nga 20 dhjetori 2024 në 28 shkurt 2025.
Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), ka hedhur poshtë ankesën e fundit të Salih Mustafës, i cili ka pretenduar se dënimi me 15 vjet burgim ndaj tij shkel Kushtetutën e Kosovës.
Sipas Mustafës, dënimi i tij prej 15 vjet për vrasje të paligjshme si krim lufte, e shkel nenin 33 (3) të Kushtetutës së Kosovës dhe se ky dënim ishte joproporcional në raport me veprën penale.
Më 9 korrik 2025, Gjykata konstatoi se kërkesa ishte e papranueshme. Në vendim, është konstatuar se Mustafa nuk ka arritur të provojë se dënimi i shqiptuar ndaj tij përbënte shkelje të të drejtave themelore.
Në ankesën e tij të dorëzuar më 24 prill 2025, Mustafa kishte thënë se i janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara sipas nenit 33 (3) të Kushtetutës së Kosovës e cila përcakton se shkalla e dënimit duhet të jetë proporcionale me veprën penale.
Mustafa pretendoi se Apeli kur e shpalli dënimin e ri e ka shkelur këtë dispozitë e cila ka për qëllim ta mbrojë të akuzuarin dhe se Supremja më pas nuk e korrigjoi këtë gabim, por e refuzoi kundërshtimin e mbrojtjes.
Sipas tij, Supremja nuk ka përcaktuar asnjë standard sa i takon shkallës së dënimit dhe as kur një dënim mund të konsiderohet joproporcional.
Mbrojtja e Mustafës kishte thënë se Kushtetuesja duhet ta interpretojë këtë nen, përdorimin e tij dhe gjithashtu duhet të jep udhëzime të qarta lidhur me interpretimin e tij, pasi që deri më tani nuk ka ndonjë gjë të tillë.
Ndryshe, Mustafa kishte bërë edhe një ankesë tjetër në Kushtetuese për shkelje të të drejtave të tij themelore dhe kushtetuese gjatë gjykimit të tij në Themelore dhe Apel, për çka vendimi në këtë rast ishte marrë më 17 prill 2025.
Sipas vendimit, Kushtetuesja nuk ka konstatuar gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e gjykatave më të ulëta dhe rrjedhimisht ankesa e Mustafës u shpall e papranueshme.
Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.
Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.
“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.
Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Serish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020./Indeksonline/