Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si një valë të re sulmesh politike dhe propaganduese kundër Donika Gërvallës. Sipas saj, këto sulme vijnë pas mbështetjes së madhe qytetare që Gërvalla mori në zgjedhjet e fundit, me mbi 153 mijë vota, si dhe për shkak të zërave se ajo mund të jetë kandidate për Ministre të Drejtësisë.
“Këto zgjedhje, Donika Gërvalla morri mbi 153 mijë vota të popullit të Kosovës. Duket se ky fakt, bashkë me zërat se ajo mund të jetë Ministre e Drejtësisë, ka shqetësuar disa adresa politike në Kosovë, duke orkestruar sulme politike e propaganduese kundër saj”, ka thënë Statovci..
Statovci thekson se po keqpërdoret një intervistë e vjetër, duke u shtrembëruar qëllimisht përmbajtja e saj. Ajo sqaron se Gërvalla asnjëherë nuk ka deklaruar se ka dërguar dëshmi në Gjykatën Speciale, një gjykatë e cila, sipas saj, është themeluar dhe votuar nga po ata aktorë politikë që sot hedhin akuza të pabazuara.
Duke nënvizuar rëndësinë e lirisë së medias, Statovci vlerëson se publikimi i intervistës vetëm sa dëshmon vizionin politik të Donika Gërvallës, e cila, sipas saj, ka parashikuar me saktësi shumë zhvillime politike në Kosovë.
Në reagimin e saj, deputetja Statovci i është përgjigjur edhe pyetjeve cinike rreth “fuqisë” së Donika Gërvallës, duke theksuar se ajo buron nga edukimi familjar e patriotik, konsistenca në qëndrime, guximi, parimësia dhe shpirti i palëkundur demokratik. Sipas Statovcit, këto vlera e kanë bërë Donika Gërvallën një nga personalitetet politike më të mbështetura në Kosovë.












