Sulmuesi i armatosur që përplasi makinën e tij në korridorin e një kompleksi të madh sinagogash në Michigan, që përfshin edhe një shkollë, kishte humbur katër anëtarë të familjes në një sulm ajror izraelit në vendlindjen e tij, Liban, vetëm një javë më parë, njoftoi një zyrtar të premten.
Një tragjedi me viktima të shumta u shmang falë rojeve të sigurisë të pranishëm në Ëest Bloomfield Township, afër Detroitit, të cilët neutralizuan shoferin përpara se të dëmtohej stafi, mësuesit dhe 140 fëmijët e qendrës së kujdesit parashkollor.
Autoritetet identifikuan sulmuesin si Ayman Mohamad Ghazali, 41 vjeç, lindur në Liban dhe shtetas i natyralizuar amerikan. FBI, që po udhëheq hetimet, e përshkroi incidentin si një akt dhune ndaj komunitetit hebre.
Raportime të mediave tregojnë se Ghazali kishte punuar në një restorant mesdhetar në Dearborn Heights, por kishte munguar nga puna në javët e fundit.
Sulmi ajror izraelit më 5 mars në qytetin Mashgharah të Libanit Lindor vrau katër persona, mes tyre dy vëllezër dhe dy fëmijët e njërit, gjatë iftarit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Gruaja e njërit prej tyre mbeti e plagosur rëndë. Ky sulm përkonte një ofensivë më të gjerë të Izraelit ndaj Libanit, pas sulmeve të Hezbollahut me raketa dhe dronë ndaj Izraelit.
Ghazali kishte arritur në SHBA në vitin 2011 si bashkëshort i një shtetaseje amerikane dhe mori shtetësinë në 2016.
Ngjarja e së enjtes shkaktoi zjarr dhe tym të zi që dilte nga ndërtesa. Një oficer sigurie u godit nga makina dhe humbi ndjenjat, por pa pësuar dëmtime serioze. Rreth 30 efektivë të tjerë u trajtuan për asfiksi.
Rabitë dhe stafi i sinagogës falënderuan rojet e sigurisë dhe autoritetet për shpëtimin e fëmijëve dhe për bashkimin e tyre me prindërit.
Incidenti vjen në një periudhë kur sinagogat në mbarë botën janë në gatishmëri të lartë për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit që nisën më 28 shkurt.
Presidenti Donald Trump e quajti ngjarjen “diçka e tmerrshme”, ndërsa liderët lokalë të komunitetit hebre reaguan me kujdes dhe vigjilencë.















