Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se mashtruan familjarët e një pacienti duke kërkuar 100 mijë euro për trajtim shëndetësor në Turqi – edhe pse shpenzimet ishin të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë.
Burime të Sinjalit konfirmojnë se të arrestuarit Ilir Pacolli dhe Ahmet Berisha ishin përfaqësues zyrtarë të spitalit turk “Birun” për Kosovë.
Sipas hetimeve të para, Pacolli dhe Berisha kishin përdorur pozicionin e tyre zyrtar për të ndikuar te familja e pacientit, duke e bindur se duhej paguar një shumë shtesë prej 100 mijë eurosh për realizimin e trajtimit në Turqi – ndonëse vendimi zyrtar për mbulim të plotë ishte dhënë nga shteti.
Ajo që e rëndon më shumë rastin është fakti se dyshimet janë se veprimet janë kryer pa dijeninë dhe pa autorizimin e vetë spitalit “Birun”, duke shfrytëzuar emrin dhe besimin që përfaqësimi zyrtar mbart.
Ky mashtrim i rëndë ka ngritur alarmin për mungesën e kontrollit mbi individët që veprojnë si ndërmjetës shëndetësor, duke rrezikuar jo vetëm pasurinë e qytetarëve, por edhe integritetin e institucioneve shëndetësore ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.