Të gjithë kandidatët për deputetë nga të gjitha partitë e kanë kaluar verifikimin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër tjerash parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili “është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, andaj kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë verifikimin në raport me këtë kufizim ligjor. Përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është se asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët e 28 subjekteve politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit”, tha Elezi për Nacionalen.
“Sipas KQZ-së, gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës (1 shtator – 11 dhjetor 2024, 23:59) kanë aplikuar: 28 subjekte politike, prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë. Deri më tani, KQZ ka certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputet, ndërsa janë në pritje edhe 17 subjekte politike me 674 kandidatë.”, tha ai.