Komuna e Obiliqit ka dhënë një tender në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore. Kjo kontratë i është dhënë kompanisë “ALL ZONE” SH.P.K., ndonëse oferta e saj nuk ishte më e ulëta në garë. Ky tender ishte pezulluar dje, por sot është marrë vendimi për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim. Ndërkohë, Insajderi ka mësuar se tashmë ky tender është deponuar në hetuesi.
Në këtë procedurë të prokurimit ishin pjesëmarrëse edhe kompani të tjera, të cilat kishin ofertuar deri në 1 milion euro më pak se kompania fituese.
Në anën tjetër, kompania që fitoi kontratën ka për drejtor një biznesmen që kishte mbështetur kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas dokumentit të publikuar në e-prokurim në kontratën për shtrirjen e rrjetës së ngrohjes qendrore e ka fituar “All Zone” në vlerë prej 6,893,858.91 euro.
Insajderi, merr vesh se tashmë kjo kontratë është deponuar në hetuesi pasi janë ngritur dyshime të forta për kurdisje.
Lidhur me tenderin në OSHP ishin dorëzuar ankesa për kriteret e vendosura nga Komuna që udhëhiqet nga Xhafer Gashi i LDK-së.
Dyshimet për kurdisje
Kur ishte hapur tenderi “Vazhdimi i shtrirjes së rrjetës së ngrohjes qëndrore“, ishin dorëzuar ankesa në Gjykatën e Tenderëve.
Një kompani ishte ankuar ende pa u dhënë tenderi se Komuna në njoftimin për kontratë ka vendosur kritere diskriminuese.
Aty thuhet se janë shkelur: Neni 7. Barazia në Trajtim/ Jo- Diskriminimi
Neni 60. Kriteret e dhënies
Neni 69. Aftësia teknike dhe/ose profesionale
Aty ishte cekuar se komuna në frymën e respektimit të parimit të barazisë dhe konkurrencës, duhet të rishqyrtojë kriteret e vendosa në dosjen e tenderit. Obiliqi kishte refuzuar këtë kërkesë.
Kriteret që ishin kërkuar të ndryshohen:
Ndërsa, pasi u shpërblye “All Zone” me kontratë sërish u dorëzua një ankesë ndaj Komunës së Obiliqit.
Komuna pas ankesës, pezulloi tenderin por që sot refuzoi edhe këtë kërkesë për rishqyrtim.
Deponimi i ankesës në hetuesi
Pasi iu refuzua kërkesa, kompania ankuese e ka depozituar lëndën në hetuesi. Aty janë ngritur dyshime për kurdisje të tenderit.
Sipas ankesës thuhet se kompanisë “All Zone” iu bë përshtatja e kritereve.
“Megjithatë, ne poashtu kërkojmë që të hetohet ky aktivitetit i prokurimit në tërësi dhe mënyra si si është zhvilluar, duke filluar nga përshtatja e kritereve për operatorin ekonomik All Zone Sh.P.K., gjë të cilën e kemi theksuar vazhdimisht pranë autoritetit kontraktues, ku në fund ky operator ekonomik edhe është shpallë fitues i aktivitetit të prokurimit“, thuhet aty.
Në anën tjetër, Komuna e Obiliqit e ka eliminuar kompaninë ‘Limit’, e cila po ankohet për diskriminim, dhe e ka akuzuar se ka tentuar të paraqesë dokumentacion të rremë për ta fituar tenderin
“Bazuar në provat e qarta të paraqitura nga Autoriteti Kontraktues dhe në përgjigjen zyrtare të institucionit financiar të kontaktuar, rezulton pa asnjë mëdyshje se Operatori Ekonomik ka tentuar të paraqesë dokumentacion të rremë dhe mashtrues, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të një kontrate publike.
Letra e dorëzuar nga OE, e cila deklaron se kompania posedon 600,000.00 euro në llogari bankare si asete likuide, është rrëzuar zyrtarisht nga vetë banka, e cila përmes komunikimit zyrtar ka deklaruar se shumat e deklaruara nuk ekzistojnë. Ky veprim nuk mund të cilësohet si “keqkuptim” apo “gabim teknik”, por është një tentativë e qartë për mashtrim të Autoritetit Kontraktues dhe sistemit të prokurimit publik“, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Por, Gazeta Insajderi ka siguruar një dokument që dëshmon se kompania ankuese e kishte dëshminë nga banka.
Komuna jep një version tjetër
Gazeta Insajderi, ka kontaktuar edhe me Komunën e Obiliqit, të cilët mohuan çdo ndikim të mundshëm.
Sipas tyre kompania “All Zone” ishte i vetmi ofertues i përgjegjshëm.
“Pas një shqyrtimi të thelluar, të bazuar në analizë dokumentare dhe vlerësim teknik sipas Ligjit për Prokurimin Publik, është konstatuar se operatori ekonomik “ALL ZONE” SH.P.K. ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe është vlerësuar si i vetmi ofertues përgjegjshëm në këtë proces. Pavarësisht se një ofertë tjetër ka qenë me çmim më të ulët, ajo është eliminuar për shkak të mospërmbushjes së kritereve thelbësore, të qarta dhe të panegociueshme, që janë të domosdoshme për realizimin e kontratës sipas standardeve teknike dhe ligjore.
Çdo vendim është marrë mbi bazën e provave të dokumentuara, në mënyrë të pavarur dhe profesionale. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj ndikimeve politike apo lidhjeve të supozuara me ndonjë subjekt politik. Të gjitha pretendimet që ngrenë dyshime mbi integritetin e procesit janë të pabazuara dhe bien ndesh me realitetin proceduror dhe ligjor“, thuhet në përgjigje.
Kush është kompania “All Zone”?
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë, thuhet se “All Zone” është themeluar në vitin 2008 dhe paraqitet si një kompani udhëheqëse në fushën e ndërtimit dhe ngrohjes qendrore, me seli në Prishtinë, Kosovë.
Pronar i kësaj firme deri më 2015, tash zyrtarisht veç drejtor i operacioneve në të, Valon Zymberi kishte përkrahur haptazi tashmë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2021-ës.
Gazeta Insajderi në të kaluarën ka raportuar gjerësisht për Zymberin dhe kompaninë “All Zone”, të përfshirë në projekte milionëshe në Prishtinë.
Në vitin 2020, pa shpallje publike përmes platformës zyrtare të “e-prokurimit”, kompania “All Zone” përfitoi mbi 4 milionë euro përmes kontratës T-2 për zgjerimin e sistemit të ngrohjes në kryeqytet.
Tenderi u realizua përmes bankës gjermane KfW, por në fund, pagesat kryesore u mbuluan nga ndërmarrja publike Termokos, e drejtuar nga zyrtarë të LDK-së. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, Termokosi planifikon të paguajë mbi 7.6 milionë euro për këtë projekt.
Zymberi, që dikur shfaqej hapur në fushatën zgjedhore të Përparim Ramës, nuk është figurë e re për organet e drejtësisë.
Në vitin 2012, ai ishte dënuar për mashtrim të Policisë së Kosovës, pasi përmes kompanisë “Idal Solucion” kishte tentuar të shiste një kamion të modifikuar si autoblindë për trazira, me vlerë mbi 200 mijë euro, ndërkohë që mjeti në fakt ishte një kamion transporti të mallrave, të transformuar në mënyrë të paligjshme.
Rasti u zbulua nga drejtues të lartë të Policisë, përfshirë Shpend Maxhunin dhe Fehmi Gjatën, të cilët e kapën kamionin në një servis në fshatin Mazgit. Pas zbulimit, Zymberi u dënua, por shtatë vite më pas u lirua pas rigjykimit – pa u dhënë ndonjë sqarim publik për këtë vendim.
Ai në gusht të këtij viti u bë sërish lajm pasi kishte lëshuar deklarata shqetësuese për përdorimin e substancave narkotike, shkruan Insajderi.
Valon Zymberi, biznesmeni i njohur nga Kosova dhe drejtor i kompanisë së fuqishme “All Zone”, ishte shfaqur në një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok me influencuesin shqiptar Kozak Braçi,
Gjatë këtij “live”, fillimisht Zymberit i dëgjohet vetëm zëri, por pas komenteve të ndjekësve që identifikuan biznesmenin kosovar, ai del hapur në kamera.
Në një moment, me krenari deklaron: “E përdori që 25 vite, krejt dhëmbët i kam të miat”, duke iu referuar përdorimit të drogës për një periudhë të gjatë kohore.
Në një tjetër pjesë të videos, ai dëgjohej duke i thënë Kozakut: “T’i kisha pru 10 gram mall, më të mirin”, ndërsa ky i fundit i përgjigjet me të qeshur se “me shumë qejf do ta pinte me të” dhe se “mbaron pas mallit”.