Një rast i rëndë i tentim vrasjes ka tronditur mbrëmë fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, ku një person ka mbetur i plagosur rëndë nga armë zjarri, ndërsa autori i dyshuar është ende në arrati.
Burime të Gazetës Sinjali brenda hetuesisë bëjnë me dije se viktima, Fatmir Voca, është qëlluar me armë të gjatë derisa ndodhej në një kontenier në pronën që po ruante, në rrugën “Shala e Bajgorës”. I plagosur me lëndime të rënda trupore, ai është dërguar me urgjencë në QKUK – Prishtinë, ku po mbahet nën përkujdesje intensive dhe mbikëqyrje të Policisë.
Pas raportimit të rastit, njësitë relevante të Policisë dhe krimteknikës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur njolla gjaku, copëza xhami të thyera dhe dy gëzhoja të armës së gjatë.
Pavarësisht kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione në fshatin Gojbulë, deri më tani nuk është identifikuar asnjë i dyshuar, ndërkohë që hetuesit janë duke mbledhur prova, duke përfshirë pamje të mundshme nga kamerat e sigurisë dhe dëshmi të mundshme.
Rasti është iniciuar nga Prokuroria si “Vrasje në tentativë”, ndërsa kërkimet për autorin po vazhdojnë me intensitet të lartë.