Plagjiatorë është epiteti që kanë marrë dy profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli i Departamentit të Historisë, dhe Ardian Kastrati i Departamentit të Shkencave Politike, pas gjetjeve të organizatës ORCA, se në punimin e tyre profesorët në fjalë kanë bërë plagjiat (vjedhje akademike).
Por duket se ky nuk është skandali i vetëm i familjes Dugolli në avancimet e tyre akademike brenda Universitetit të Prishtinës.
Gruaja e profesorit Bujar Dugollit, Mimoza Dugolli është zgjedhur profesor asistent në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në vitin 2018.
Veriu.info ka siguruar ekskluzivisht një dokument të ORCA-s drejtuar Inspektoratit të Punës, ku i kërkon që ky konkurs ku zonja Dugolli merr titullin profesor asistent të anulohet për shkak të një mori shkeljesh ligjore.
Në kërkesën e ORCA-s drejtuar Inspektoratit të Punës, thuhet se zonja Dugolli në vitin 2018 zgjedhet profesor asistent në kundërshtim me Statutin e UP-së dhe Rregulloren për Përzgjedhje të Stafit Akademik.
Sipas dokumentit komisioni vlerësues ka llogaritur se kandidatja Mimoza Dugolli ka publikuar punim shkencor, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në momentin e avancimit të saj, andaj si e tillë bie në kundërshtim përzgjedhja e saj edhe me Statutin edhe me Rregulloren.
Sipas vlerësimit të ORCA-s koeficienti vlerësues për kandidaten Dugolli është zero (0).
Më poshtë gjeni dokumentin e plotë:
Kujtojmë që punimi i profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati është larguar nga revista shkencore dhe Këshilli i Etikës së UP-së ka marrë masa ndaj tyre.
“Me 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore. Por, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre. Në vendim thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite. Dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve nuk punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike”, thuhet në njoftimin e ORCA-s.