Qeveria Kurti ka marrë vendim sot për emërimin e Bekim Hoxhës, kryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ai u lavdërua sot nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili në mbledhjen e Qeverisë tha se Hoxha ka përgatitje në nivel akademik e institucional.
Por, kush është njeriu i cili Peci e transferonte nga një pozitë në tjetrën, shkruan Periskopi.
Hoxha, në vitin 2021 ishte emëruar në pozitën e zëvendëskryeshefit në Agjencinë e Pyjeve, e më pas në qershor të vitit 2023, e kapi të njëjtën pozitë, por në QUV.
Ai ishte edhe dëshmitar në gjykimin e Nenad Rikalos, ish ministrit të Bujqësisë, ku në rolin e dëshmitarit i kishte dalë në mbrojtje, e madje duke shkuar më tej, thurte edhe elozhe për të,
Në një kronikë që ua kishte kushtuar këtij rasti KTV, raportohej se si dy dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria, thurnin lavde për ish-ministrin Nenad Rikalo, gjatë dëshmisë së tyre. Këtu bënte pjesë edhe Bekim Hoxha.
Pavarësisht se prokurorja e kishte konsideruar dëshminë e tij të rëndësishme për ta faktuar aktakuzën, Hoxha ka lavdëruar të akuzuarin kryesor në këtë rast, raportonte Koha.
Ndryshe, Rikallo përmes një reagimi që kishte bërë kohë më parë, kishte deklaruar se ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë edhe me Albin Kurtin.
“Nga viti 2001 deri në vitin 2003 kam punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse nga viti 2003 në mënyrë aktive kam punuar në sektorin civil për pajtim mes komuniteteve dhe për zhvillim të shoqërisë. Ndoshta këtë publiku nuk e di, por 4 vite kam qenë anëtarë i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina. Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it. Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë. Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen Vetëvendosje e cila përdorë metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ka konvenuar. Që nga atëherë kemi ndërprerë bashkëpunimin”, kishte thënë ministri Rikalo në vitin 2017.