Është një moment i pazakontë i viteve të fundit. Një lider i Partisë Demokratike të Kosovës brenda kullës së Jasharëve. Në përshëndetje e ngrohtë mirëseardhjeje nga i zoti i shtëpisë.
Pas më shumë se dhjetë vitesh, Bedri Hamza është bërë politikani i parë i lidershipit të PDK-së që pritet në Kullën e Jasharëve në Prekaz.
Kryetari i PDK-së është pritur sot në kullë nga kryefamiljari Rifat Jashari, në një vizitë në fshatin Prekaz në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mes vizitës së fundit dhe kësaj të sotmes ndodhet në mes një histori tensioni dhe acarimi i raporteve mes PDK-së dhe familjes Jashari.
Ishte bërë e zakonshme që ish-kryetari i PDK-së, pastaj ish-presidenti Hashim Thaçi, në çdo përvjetor të mungonte brenda kullës së familjes: ai kryente homazhe te varrezat e Jasharëve, por mungonte në kullë.
Thaçi e baci Rifat takoheshin vetëm në përvjetore. Në ceremoni të organizuara nga shteti. Edhe aty përshëndeteshin ftohtë me njëri-tjetrin.

Arsyeja e prishjes së raporteve mes familjes sinonim të luftës çlirimtare dhe Partisë Demokratike të Kosovës, subjektit më të afërt dhe të identifikuar më së shumti me krahun e luftës dhe me UÇK-në, nuk ishte bërë asnjë herë e ditur publikisht.
Por, raportet e lidershipit të PDK-së me familjen Jashari nuk ishin rregulluar as me ndryshimin e udhëheqjes së partisë. Avazi i njëjtë i marrëdhënieve kishte vazhduar nën lidershipin e Kadri Veselit, njashtu sikurse nën atë të Memli Krasniqit.
Për t’u thyer akulli mes tyre mbase duhej një person kaq i afërt me famlijen emblemë të luftës sa dikush që Prekazin e ka vendlindje, siç është rasti i Bedri Hamzës, të cilit baci Rifë ia hapi derën e shtëpisë pa hezitim. /Paparaci














