Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me ngjarjen tragjike që ka ndodhur mbrëmë në Maqedoninë e Veriut, ku një zjarr që shpërtheu në një diskotekë në Koçan, iu mori jetën 51 personave dhe la të plagosur mbi 100 të tjerë.
Përmes një postimi në platformën “X”, Rama iu ka shprehur ngushëlime familjarëve të viktimave, teksa ka shprehur edhe gatishmërinë e Shqipërisë për t’i dalë në ndihmë Maqedonisë në rast nevoje.
“Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme.
I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme”, ka shkruar ai.