Sytë e botës janë kthyer kah Alaska, ku nesër pritet të zhvillohet takimi historik mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Liderët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në samitin që ka për qëllim adresimin e luftës në Ukrainë, ndërsa tensionet dhe pritshmëritë janë të larta.
Putin ka vlerësuar përpjekjet e Trumpit, duke thënë se “presidenti amerikan po bën përpjekje të sinqerta për paqe”. Ai ka lënë të kuptohet se armët bërthamore mund të jenë pjesë e diskutimit.
Ndërkohë, Trump ka paralajmëruar pritje të matur, duke i thënë Fox News Radio se ka “vetëm 25% shans që takimi të jetë i suksesshëm”. Sipas tij, një marrëveshje për armëpushim është pak e mundshme që të arrihet nesër, por synimi është të përgatitet një takim i dytë – me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ndoshta disa liderëve evropianë.
Kryeministri britanik Keir Starmer u takua me Zelenskyn të enjten në Londër, ndërsa pas takimit, Downing Street deklaroi se “Putin duhet të vërtetojë se është serioz për paqen”.
Udhëheqësit evropianë pritet të ndjekin nga afër zhvillimet e së premtes, që potencialisht mund të ndikojnë në ecurinë e luftës në Ukrainë.