Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur hapur zhgënjimin e tij ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 10 raketa të avancuara Patriot në Ukrainë.
Komentet e tij vijnë pak ditë pasi njoftoi se dërgesat e armëve amerikane drejt Ukrainës do të rifillojnë, pas një ndalese të përkohshme nga Pentagoni, sipas një zyrtari të njohur me çështjen, raporton The Guardian.
Gjatë një takimi të kabinetit të tij të martën, Trump shprehu frustrim në rritje ndaj liderit rus: “Kemi shumë budallallëqe nga Putini, nëse doni ta dini të vërtetën. Ai është shumë i sjellshëm gjatë gjithë kohës, por rezulton të jetë e pakuptimtë”, ka thënë Trumpi.
I pyetur nëse do të mbështeste sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, ai u përgjigj shkurt:
“Po e shqyrtoj.”
Që të hënën, Trump kishte bërë të ditur pakënaqësinë e tij me presidentin Putin dhe paralajmëroi dërgimin e ndihmës shtesë ushtarake për Kievin.
“Ne do t’u dërgojmë atyre disa armë të tjera që kemi. Ata duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten. Ata po goditen shumë rëndë tani”, tha ai, gjatë një takimi me një delegacion amerikan dhe izraelit.
Zyrtarët ukrainas kanë përshëndetur ndryshimin e qëndrimit të presidentit amerikan, por shprehën pakënaqësi me sasinë e ndihmës së premtuar. Sipas tyre, 10 raketat Patriot janë të pamjaftueshme për nevojat mbrojtëse të Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes në Kiev theksoi se nuk kishte marrë ende një njoftim zyrtar për këtë vendim.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Ukraina të ketë stabilitet, vazhdimësi dhe parashikueshmëri në furnizimin me armë, veçanërisht me sisteme të mbrojtjes ajrore”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Sipas faqes amerikane të lajmeve Axios, Trump ka rënë dakord të dërgojë menjëherë 10 raketa Patriot – 20 më pak se sasie që ishte planifikuar të dorëzohej javën e kaluar, por që mbeti e bllokuar në kufirin Poloni-Ukrainë.
Ky premtim erdhi pas një sulmi të madh ajror rus ndaj Kievit të enjten mbrëma, që zgjati shtatë orë dhe përfshiu më shumë se 550 dronë dhe raketa balistike. Zyrtarët ukrainas nuk dhanë shumë detaje për rezervat e tyre ushtarake, por pranuan se 10 interceptorët e rinj do të ishin të mjaftueshëm vetëm për të përballuar një sulm të madh ajror gjatë një nate.