residenti amerikan, Donald Trump u ka thënë gazetarëve në bordin e aeroplanit “Air Force One” se “diçka do të dalë” nga takimi me homologun rus, Vladimir Putinin në Alaskë.
Ai gjithashtu dha një ide për mënyrën se si mund t’i qaset bisedimeve, duke sugjeruar se qëndrimi i tij për garancitë e sigurisë për Ukrainën mund të ketë ndryshuar.
Lideri amerikan shtoi gjithashtu se, ndonëse delegacionet amerikane dhe ruse për samitin duken të fokusuara në interesa ekonomike dhe biznesi, prioriteti i tij është të arrihet një marrëveshje për luftën, përpara se të kalojë në çështje të tjera.
I pyetur nga një gazetar për garancitë e sigurisë për Ukrainën, 79-vjeçari tha se SHBA mund të përfshihet, “së bashku me Evropën dhe vende të tjera”.
Por, shtoi se kjo nuk do të jetë në formën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, duke thënë se ka “gjëra të caktuara që nuk do të ndodhin”.
“Por po, së bashku me Evropën, ekziston mundësia për këtë”, shtoi ai.
Në lidhje me mundësinë e marrëveshjeve tregtare që mund të dalin nga samiti, Trump tha se Putini “do një pjesë” të ekonomisë dhe biznesit amerikan.
“Vura re që ai po sjell shumë biznesmenë nga Rusia, dhe kjo është mirë, më pëlqen, sepse duan të bëjnë biznes, por nuk bëjmë biznes derisa të zgjidhet lufta”, tha ai.
Putini mendon se sulmet e vazhdueshme kundër Ukrainës “i japin fuqi”, tha presidenti amerikan, por u tha gazetarëve “mendoj se e dëmton.”
“Mendoj se po përpiqen të negociojnë, në mendjen e tij kjo e ndihmon të bëjë një marrëveshje më të mirë. Por në fakt e dëmton… por do të flas me të për këtë më vonë,” tha Trump.
Trump tha se shkëmbimet territoriale “do të diskutohen, por duhet ta lë Ukrainën ta marrë këtë vendim”.
“Por, unë nuk jam këtu për të negociuar në emër të Ukrainës, jam këtu që ta ul atë (Putinin) në tryezë”, deklaroi ai.
Trump u pyet gjithashtu për kërcënimin që bëri më herët gjatë javës, se do të kishte “pasoja të rënda” për Putinin nëse ai nuk do të ishte i interesuar për paqe.
“Ekonomikisht të rënda, po, do të jenë shumë të rënda. Nuk e bëj këtë për shëndetin tim. Do të doja të fokusohesha në vendin tonë, por po e bëj këtë për të shpëtuar shumë jetë, po, shumë të rënda,” tha Trump.
Ndryshe, takimi mes Trumpit dhe Putinit pritet të fillojë rreth orë 21:00, sipas kohës sonë lokale, në Alaskë.