
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se pengjet që mbahen në Gaza mund të fillojnë të lirohen “shumë shpejt”, ndërsa ndërmjetësit pritet të takohen të hënën në Egjipt për bisedime të reja paqeje mes Hamasit dhe Izraelit, shkruan A2 CNN.
Këto bisedime vijnë pasi Hamasi ka pranuar disa pika të planit 20-pikësh të paqes të propozuar nga SHBA, përfshirë lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e qeverisjes së Gazës tek teknokratë palestinezë. Megjithatë, grupi nuk ka pranuar çështjet e çarmatimit dhe heqjes dorë nga roli i tij politik në Gaza.
Trump tha se “negociatat po ecin shumë mirë” dhe e quajti planin “një marrëveshje të shkëlqyer për Izraelin, botën arabe dhe mbarë botën”. Ndërkohë, pavarësisht thirrjeve të tij për ndalim të bombardimeve, sulmet izraelite në Gaza vazhduan gjatë fundjavës. Zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian, tha se “nuk ka armëpushim në fuqi”, megjithëse disa bombardime janë ndalur.
Sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, 65 persona u vranë në 24 orët e fundit nga operacionet ushtarake izraelite. Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, theksoi se bombardimet duhet të ndalen për të mundësuar lirimin e pengjeve.
Plani i paqes parashikon ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe lirimin e 48 pengjeve në këmbim të qindra të burgosurve nga Gaza. Delegacionet izraelite dhe amerikane, përfshirë Jared Kushnerin dhe ministrin e jashtëm të Katarit, do të marrin pjesë në takimet e Kajros.
Ndërsa shumë banorë të Gazës e shohin pranimin e pjesshëm të Hamasit si shenjë presioni të jashtëm, të tjerë e konsiderojnë si një hap pragmatik pas dy vitesh lufte shkatërruese. E ardhmja e Gazës mbetet e pasigurt, por bisedimet në Egjipt mund të përbëjnë shansin më të afërt drejt një armëpushimi të qëndrueshëm./Periskopi/