Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë të premten një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ku është theksuar angazhimi për të forcuar më tej miqësinë dhe aleancën mes dy vendeve.
Në letër, presidenti Trump ka vlerësuar marrëdhëniet e ndërtuara mbi respektimin e idealeve që kanë themeluar kombin amerikan dhe nënvizon se, përmes mbrojtjes së sovranitetit, begatisë dhe paqes me anë të forcës, mund të arrihet edhe ajo që duket e pamundur.
“Me kënaqësi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurtë, më të qëndrueshme dhe më të suksesshme”, ka shkruar presidenti Trump në letrën drejtuar Begajt.
Ky mesazh vjen pas urimit që presidenti Begaj ia ka përcjell më herët me rastin e 249-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së ShBA-s, ku ai kishte theksuar miqësinë e qëndrueshme mes dy vendeve dhe rolin e partneritetit strategjik në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.