Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shtetet anëtare të Bordit të Paqes kanë premtuar më shumë se 5 miliardë dollarë për rindërtim dhe përpjekje humanitare në Gazë.
Trumpi në një postim në Truth Social, ka shkruar se shtetet anëtare kanë angazhuar gjithashtu mijëra personel për një forcë stabilizimi të autorizuar nga OKB-ja dhe policinë lokale në enklavën palestineze.
Trumpi ka themeluar Bordin e Paqes në kuadër të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës që është mbajtur në janar. Gjatë këtij forumi, është zhvilluar edhe ceremonia e nënshkrimit të shteteve themeluese, në mesin e të cilave është edhe Kosova.
Por vendet kryesore perëndimore kanë hezituar të bëhen pjesë e Bordit për arsye të ndryshme.
Mediat amerikane kanë raportuar javën e kaluar se në fund të muajit shkurt pritet të mbahet në SHBA takimi i parë i Bordit.












