Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të martën se shpreson që homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të ecë përpara drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, por pranoi se kreu i Kremlinit mund të mos dojë që të bëjë marrëveshje fare, duke shtuar se kjo gjë do të krijonte një “situatë të vështirë” për Putinin.
Në një intervistë për televizionin “Fox News”, presidenti amerikan tha se pret që rrjedha e veprimeve të Putinit të bëhet e qartë në javët e ardhshme. Trumpi përsëri e përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë dhe nuk dha hollësi rreth garancive të sigurisë për të cilat më parë ka thënë se Uashingtoni do t’i ofronte Kievit sipas një marrëveshjeje pas luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nuk mendoj se do të jetë problem [arritja e një marrëveshjeje të paqes], që të jem i sinqertë me ju. Mendoj se Putini është lodhur me këtë. Mendoj se të gjithë janë lodhur me këtë, por kurrë s’i dihet” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Do të marrim vesh për presidentin Putin në javët në vijim… Është e mundshme se ai nuk dëshiron që të bëjë marrëveshje” – tha presidenti amerikan, i cili në të kaluarën i ka kërcënuar Rusinë dhe shtetet që blejnë naftë prej saj me sanksione të reja, nëse Putini nuk bën paqe.
Rusia nuk ka dhënë zotim të hapur për një takim mes Putinit e Zelenskyt. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të martën se Moska nuk refuzon asnjë format për diskutimin e procesit të paqes në Ukrainë, por se çfarëdo takimi i udhëheqësve të vendeve “duhet të përgatitet me kujdesin më të madh”.
“Kësaj ende nuk i vjen era paqe. Mendoj se Putini nuk do ta zgjedhë këtë. Unë vërtet doja që tërë kjo të merrte fund në mënyrë paqësore, por, fatkeqësisht, shumë njerëz tanë vdiqën dhe kjo është shumë e hidhur” – tha Oksana Melnyk, banore 63-vjeçare e Kievit.
Putini ka paralajmëruar se Rusia nuk do të tolerojë trupa të NATO-s në territorin e Ukrainës. Ai gjithashtu nuk ka shfaqur shenja të sprapsjes nga kërkesat për territore, përfshirë tokat që nuk janë nën kontrollin ushtarak rus, pas samitit të tij me Trumpin të premten në Alaskë.