Profesori universitar, njëherësh ushtrues detyre i Dekanit në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Ylber Januzaj, ka bërë të ditur se pas krijimit të këtij drejtimi në Universitetin “Haxhi Zeka” po hasin në rezistencë të brendshme burokratike për rekrutim stafi, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Januzaj përmes një reagimi publik ka bërë të ditur se si U.D. i dekanit ka dorëzuar kërkesën në senat për rekrutim të stafit akademik për tëfunksionalizuar dhe akredituar programin, por se kjo sipas tij ka hasur në rezistencë të brendshme burokratike.
“Bllokimi i këtij programi përbën një keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi ata që e bllokojnë po dëmtojnë interesin publik.” – shkruan Januzaj.
Postimi i plotë:
Sot, në emisionin e Radio Kosovës, diskutuam për një temë tejet të rëndësishme: kërkesën për profesionistë në fushën e teknologjisë së informacionit. Në këtë drejtim, Universiteti “Haxhi Zeka” ka bërë një hap të rëndësishëm, pasi, me mbështetjen e plotë të MAShTI-t, Këshilli Drejtues ka themeluar Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore. Kjo është një mundësi e artë për të rinjtë tanë dhe për zhvillimin e teknologjisë në vendin tonë.
Si u.d. Dekan i këtij fakulteti, më datë 07.10.2024, kam dorëzuar kërkesën në senat për rekrutimin e stafit akademik për të funksionalizuar njësinë dhe për të akredituar programin në Shkenca dhe Inxhinieri Kompjuterike. Mirëpo, ndodhemi përballë një situate të papranueshme, pasi ky proces është bllokuar nga rezistenca të brendshme burokratike. Kjo është e papranueshme!
Fuqia jonë si shoqëri qëndron në investimin në arsim dhe në krijimin e mundësive për të rinjtë tanë. Tani është koha të veprojmë dhe të kërkojmë përgjegjësi nga ata që po pengojnë këtë proces jetik. Bllokimi i këtij programi përbën një keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi ata që e bllokojnë po dëmtojnë interesin publik.
Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që burokracia të frenojë zhvillimin tonë. Është koha të bashkohemi dhe të kërkojmë një të ardhme më të mirë për Pejën, për të rinjtë tanë dhe për shoqërinë tonë.