Valbona Mhilli i dha fund rrugëtimit në Big Brother VIP4 si banorja më pak e votuar nga publiku, gjatë një nominimi “kokë më kokë” me Laertin.
Në intervistën e parë në studio pas eliminimit, Valbona u shpreh e prerë në besë nga Laerti, duke i vendosur atij epitetin “Laert Besëpreri”.
E pyetur se kush e fiton Big Brother VIP në këtë sezon të katërt, ajo u përgjigj se megjithëse do të donte Jozin, me lojën e zhvilluar deri më tani fitues është Gjesti.
Pjesë nga intervista:
Valbona: Më vjen keq që u preva në besë nga Laert Vasili. Tani ai është Laert Besëpreri. Megjithatë, nuk keni parë gjë akoma. Unë e kam pasur shumë përzemër, por më preu në besë. Tani të shohim si do t’i shkojë rrugëtimi.
Ledioni: Ti thua gjithmonë që Laerti ka aktruar. Tani nëse ai ka aktruar gjithmonë, i bie që ose ti e mësove të shtunën se ka aktruar, ose ai është aktor shumë i zoti dhe vetëm në këtë zgjedhje munde ta mësoje se ka aktruar.
Valbona: Unë kam qenë gjithmonë e prirur për ta besuar Laertin. Dyshimet kanë qenë shumë të mëdha, ndaj dhe kam pasur këto tërheqjet e herëpashershme, përfshi edhe faktin që nuk i pranova darkën. Më ka lënë të kuptoja se duhet të tërhiqesha dhe të ndrydhja ndjenjat e mia të sinqerta për të. Pastaj ishte edhe Rozana ditët e fundit që pasi u bashkua me mua, po i thoshte gjëra nga jashtë. Unë pas çdo fjale që thoshte Rozana i kërkoja llogari Laertit, por ai thjeshtë përgjigjej se: “epo unë maskara jam” ose “pyet Rozanën”. Sidoqoftë, kisha një dëshirë të madhe për t’i besuar dhe e mora rezultatin.
Ledioni: Të flasim pak për marrëdhënien e çuditshme që ke ti me Jozin… Të erdhi keq që në një sens nuk ta ktheu gjënë që bëre për të?
Valbona: Jozi kur theu kutinë e emergjencës ma tha nën zë që “Valbona, e bëra për ty“. Nuk e bërtiti këtë gjë, por pas situatave që ndodhën në shtëpi, në një moment u detyrova unë të thoja që e bëri për mua. Tani të shkoja unë te suita, çfarë do të bëja?!
Ledioni: Do bisedoje, do flisnit. Ti me atë buzëqeshje që ke sa herë që përmendet ai nuk e dimë çdo bëje, por…
Valbona: Unë e kam thyer atë kuti për t’i dhënë Jozit një shans si shoqe, si mikeshë, që të tregonte veten e vetë dhe të shijonte dashurinë me Loredanën.
Neda: Po edhe me Loredanën nuk është se bëri ndonjë gjë Jozi. Kishin lënë muhabetin e Gertës pa “sqaruar”… Unë mendoj se në situatën me Laertin, nëse do ta kishe ndjerë veten të fortë në lojë do e kishe bërë ti e para shkëputjen, në të kundërt nuk duhet ta kishe përjetuar në këtë formë. Reagimi që ti ke bërë ka ardhur si pasojë e pasigurisë që ke ndjerë në raport me atë. Marrëdhënia jote me Laertin më është dukur më shumë si fiksimi i një studente me profesorin e historisë antike se sa i një gruaje për një burrë që do të donte që ai ta shtrëngonte në krahë. Për rrjedhojë po më duken të tepërta akuzat e tua për tradhëti. Megjithatë, ti ke bërë 94 ditë në këtë Big Brother duke i marrë më të mirën këtij rrugëtimi. Nuk mendoja se do të shkoje kaq shumë, por mesa duket publiku ka vlerësuar natyrën tënde stoike… Një lojtar i fortë, mund t’i bëjë ballë çdo mekanizmi në lojë dhe unë mendoj se kjo histori shkoi ashtu sikurse duhet të shkonte.
Arbri: Bëre 94 ditë në shtëpi, nuk mendoj se janë pak. Loja që t’i ndërtove me apo pa dashje të solli deri këtu. Ajo çka të ka penalizuar është fakti se për disa situata që duhej të mbaje qëndrim ke treguar papjekuri. Nuk mund të ndikoheshe nga fjalët e banorëve në shtëpi për të krijuar një raport. Njeriu e ndan mendjen; dua apo nuk dua ta krijoj këtë raport. Ishe këmbëngulëse për të fituar debatet, por një pjesë të tyre nuk arrite ti fitoje edhe për shkak të tonalitetit të lartë të zërit që ke. Dhe së fundmi, ti nuk ishe e aftë të krijoje aleanca që do të të shërbenin për një moment të vështirë. Kush duhet ta fitojë Big Brotherin?
Valbona: Unë dua shumë që Big Brotherin ta fitojë Jozi. Duhet parë edhe loja që do të bëjë në shtëpi, por jam shumë krenare për arritjet e tij dhe djalin që është. Por, sot Big Brotherin e fiton Gjesti./Tch