Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se një person i dyshuar për falsifikim dokumentacioni dhe mashtrim është arrestuar gjatë përpjekjes për të dalë nga vendi përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se më 14 maj 2025, rreth orës 12:30, gjatë kontrollit të dokumenteve në sistemin policor, është aktivizuar STOP-lista për Ramadan Hasanin, rreth 57-vjeçar, i cili rezultonte në kërkim policor nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, për një rast të iniciuar në noterinë “Islam Azemi” në Gjilan, më 13 shtator 2024.
Hetuesit e NJHP-së janë paraqitur menjëherë në Aeroport dhe kanë realizuar arrestimin e të dyshuarit, i cili më pas është shoqëruar në zyrat e NJHP-së në Gjilan.
I njëjti është intervistuar në prani të avokatit dhe është marrë në pyetje për përfshirjen në rastin e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit, i cili dyshohet të jetë realizuar në një procedurë noteriale.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurores së Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti mbetet nën hetim dhe Sinjali do të sjellë detaje të mëtejshme për mënyrën e realizimit të mashtrimit të dyshuar.