Një aksident fatal në vendin e punës ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Strellc i Ulët të Deçanit, ku si pasojë e lëndimeve të marra, një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:05 në një punëtori (sharrë), ku mbi dy punëtorë kanë rënë disa dërrasa, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Të lënduarit janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit prej tyre”, deklaroi Gashi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente policore dhe inspektorët e punës, të cilët po merren me hetimin e rrethanave se si erdhi deri te ky aksident tragjik. Personi tjetër i lënduar raportohet se po vazhdon trajtimin mjekësor nën kujdesin e mjekëve.














