Ayatollahu i Iranit, Ali Khamenei, përballet me sfidën më të madhe deri tani ndaj udhëheqjes së tij pas sulmeve të SHBA-së mbi objektet bërthamore të vendit të tij, tha një analist, ndërsa bota pret një përgjigje zyrtare nga Udhëheqësi Suprem.
Khamenei është ndoshta në “situatën më të rëndë të gjithë jetës së tij si autokrat”, i tha Karim Sadjadpour nga Fondacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare gazetares së CNN-it, Kaitlan Collins, përcjell Gazeta Express.
“Ai është në një bunker. Është 86 vjeç. Ka kapacitete të kufizuara fizike dhe mendore. Shumica e komandantëve të tij më të lartë ushtarakë janë vrarë. Ai nuk e kontrollon hapësirën e vet ajrore. Izraeli e kontrollon atë”, tha ai. “Dhe, e dini, nuk ka rrugëdalje nga kjo luftë. Ai nuk mund ta fitojë këtë luftë. Është i tejkaluar ushtarakisht, financiarisht, teknologjikisht”.
Khamenei nuk ka komentuar ende publikisht që kur SHBA goditi tre nga objektet kryesore bërthamore të Iranit. Ai tha javën e kaluar në një fjalim kombëtar se Irani nuk do të dorëzohet dhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake e SHBA-së do të sjellë “dëme të pariparueshme”.
Pas refuzimit të raportuar të një plani izraelit për ta vrarë Khamenein, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi javën e kaluar se Udhëheqësi Suprem i Iranit është një “target i lehtë”.
Po shtrohen gjithnjë e më shumë pyetje nëse një ndërhyrje e tillë mund të shkaktojë ndryshim regjimi në Teheran – një rezultat që rrezikon ta përçajë vendin dhe të shkaktojë tronditje në të gjithë rajonin.
Khamenei ka sunduar Iranin për më shumë se 35 vjet si autoriteti më i lartë i tij, duke ardhur në pushtet një dekadë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 që e rrëzoi një monark të mbështetur nga SHBA-të.
Udhëheqësi Suprem “ka instinkte për mbijetesë, por gjithashtu ka instinkte sfiduese”, tha Sadjadpour. “Dhe ai po përjeton një betejë të vërtetë, sipas mendimit tim, për t’i pajtuar këto të dyja”.