Në nëntor të vitit të kaluar, në ceremoninë e varrimit të një ish-ushtari të UÇK-së në Veri të vendit, ishin çuar edhe disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni varrimi, ku po merrte pjesë kryeministri Albin Kurti e ministri Faton Peci, FSK ishte çuar pa marrë leje paraprake nga Komandanti i KFOR-it.
“Sot pasdite në varrezat e Bistricës ia dhamë lamtumirën e fundit Behgjet Hetemit të cilin na e mori sëmundja e kancerit në mushkëri. Ishim bashkë me vëllaun e tij, Kryetarin e Komunës, Lulzim Hetemin, ministrin Faton Peci, deputetët Armend Muja, Arjeta Fejza e Salih Zyba dhe shumë kolegë e aktivistë, bashkëluftëtarë e bashkëfshatarë. Fjalimin te varri e mbajti mbesa e tij, Kosovarja, ushtare e FSK-së”, kishte njoftuar Kurti në profilin e tij në ‘facebook’ në nëntor të vitit 2024.
Ky veprim pa koordinim me KFOR-in, kishte detyruar ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të shkruante një zotim me letër në adresë të KFOR-it për respektimin e zotimit se nuk e çojnë FSK-në në Veri pa miratimin e Komandantit të KFOR-it, zotim ky që ish-kryeministri Hashim Thaçi ia kishte dhënë ish-Sekretarit të NATO-s, Andres Fogh Rasmussen.
“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqaroj Komandantin e KFOR që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës”, kishte deklaruar Maqedonci.
Sot Lëvizja Vetëvendosje është duke e cilësuar si “dërgim të parë të FSK-së në Veri”, shkruajen e njësitit të zhytjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës nën shoqërimin e KFOR-it për gjetjen e trupit të pajetë të një mërgimtari i cili është hedhur nga Ura e Ujmanit dhe s’ka dalë më. Ministri Maqedonci ka treguar se dërgimi i pjesëtarëve të FSK në Veri është bërë në koordinim me KFOR-in./Express/