Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar edhe sot me kontratat me negocim. Janë gjithsej tre kontrata që kishte parashikuar KQZ të lidhë sot, por njëra është anuluar. Ndërkohë, kontrata e rëndësishme për votimin me postë ka dështuar në Lot 1.
KQZ ka anuluar tenderin një-burimor dje për shërbimet postare për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 në vlerë prej 1.8 milionëve.
Në arsyetimin që e ka publikuar KQZ’ja, thuhej se nuk ka pasur ndonjë ofertues lidhur me tenderin për shërbimet e postës për votim jashtë vendit.

Por, edhe pas ri shpalljes se tenderit KQZ ka arritur të lidh kontratë për “Shtypja e distinktivëve për procesin e Votimit për Zgjedhjet e Parakohshme“, vetëm në lot 2.
Kompania që fitoi tenderin një-burimor është “3 P SH.P.K”. në vlerë prej afro 130 mijë euro.

Në njoftim theksohet se aktiviteti i prokurimit për Lot 1 është anuluar për mungesë ofertuesish.
Votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë dhe zhvillohet nga ora 07:00 deri në orën 19:00, sipas orës lokale të vendit pritës.
Materialet zgjedhore të nevojshme për organizimin e votimit dërgohen nga KQZ paraprakisht, para ditës së votimit. Për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 27 dhjetor 2025.
Tenderi u nda në dy llote, ku pjesa e parë ndahej për përgatitjen, dërgimin dhe dorëzimin e zarfeve me fletëvotime për votim përmes postës.
Pjesa e dytë parashihte kthimin dhe transportimin e pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.
Në bazë të dosjes së tenderit, data e fundit për dorëzim të ofertave për operatorët ekonomikë ishte 09.12.2025, në ditën kur është anuluar tenderi. Rrjedhimisht, KQZ’së i kanë ngelur vetëm 17 ditë ta zgjidhë këtë çështje.
Tek afatet orientuese tek specifikimet për kompanitë, parashihet që nisja e pakove të fletëvotimeve nga kontraktori të bëhet nga i 10-ti deri me 15 dhjetor. Ndërkaq, arritja e tyre tek votuesit në Evropë nga 12 deri në 17 dhjetor dhe deri më 18 dhjetor tek votuesit jashtë Evropës.
Ky nuk është tenderi i vetëm që i shkaktoi probleme KQZ-së sot. Edhe tenderi “Furnizim me ngjyrë matrikulare për shënim të votuesve” është anuluar.
Ndërkohë, ka lidhur kontratë me negocim për “Shtypjen e distinktivëve për procesin e votimit”, me fitues “Digi Print” SH.P.K., në vlerë prej rreth 80 mijë euro.
Tenderin e ka fituar” Digi Print ” SH.P.K në vlerë prej afro 80 mijë euro.

Gazeta Insajderi gjatë ditës së djeshme raportoi edhe se KQZ’ja i ka dhënë sërish tender me formë të negociuar “CETIS”-it të famshëm slloven.

Kompania sllovene sërish është kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve, një tender që do t’i kushtojë buxhetit 275 mijë euro.
Kjo kompani përmendet gjithashtu për lidhjet e saj me Martin Berishajn.
Në anën tjetër ky nuk është i vetmi tender i dhënë me negocim.
Në njoftimin e publikuar në e-prokurim, KQZ ka bërë të ditur se ka dhënë kontratë edhe për “Transmetimin e videospoteve dhe radiospoteve në televizione dhe radio për edukim dhe informim të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës”.
Vlera e kësaj kontrate është rreth 66 mijë euro dhe fitues është shpallur kompania “RED MILL SH.P.K.”.
CETIS është kompani me bazë në Celje, Slloveni, e specializuar në shtypje të dokumenteve të sigurisë si pasaporta, karta identiteti, dokumente civile dhe materiale zgjedhore. Në Kosovë, CETIS është përzgjedhur nga KQZ për prodhimin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Sipas të dhënave financiare të publikuara, grupi CETIS realizoi 113.6 milionë euro të ardhura në vitin 2024, duke operuar në mbi 50 shtete.
Procesi i shtypjes së fletëvotimeve për Kosovën është zhvilluar nën mbikëqyrjen e delegacionit të KQZ-së, në ambientet e kësaj fabrike në Slloveni.
Por, telashe në Mitrovicë në Mitrovicën e Jugut, gjatë balotazhit të zgjedhjeve lokale ishin paraqitur.
Një pjesë e fletëvotimeve rezultuan me gabime teknike dhe mospërputhje në formatim, duke ngritur shqetësime për vlefshmërinë e rezultatit.
Lidhjet e Berishajt me CETIS
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, figuron si aksionar me 10% në kompaninë shqiptare “Nacional Sh.A.”, me aktivitet fillestar në “organizimin e llotarive dhe lojërave të fatit”.
Në dokumentet themeluese të kësaj kompanie, ndër aksionarët listohen edhe: “CETIS”, “Stil”, “Nirvana” dhe “Lucrum”, me pronarë sllovenë e kroatë.
Sipas të dhënave, Berishaj nuk e ka deklaruar këtë hisje në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, ndonëse është i detyruar me ligj si zyrtar publik.
Kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes CETIS-it – që shtyp fletëvotimet për KQZ-në – dhe ambasadorit kosovar ka ngritur dyshime për konflikt interesi dhe mospërputhje me standardet e transparencës që kërkohen nga institucionet shtetërore. /Insajderi.org/














