Ka vdekur 23 vjeçari që u rrëzua nga kati i gjashtë i një objekti ndërtimor. Biznesmeni nga Skenderaj, Naser Deliu, bashkëpronar i kompanisë ndërtimore “Valoni Titan”, është vendosur në arrest shtëpiak për një muaj lidhur me këtë rast.
Për vdekjen e tij kanë njoftuar nga komuna e Vitisë.
“Me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj, Rinor Haxhiu, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Largimi i tij i hershëm nga kjo botë ka prekur zemrat tona thellë dhe ka lënë boshllëk të madh tek të gjithë ata që e njohën dhe e deshën. Në këto çaste të dhimbjes e pikëllimit, ne bashkë ndjejmë me ju në këtë humbje të madhe. Kujtimi për Rinorin do të mbetet i gjallë përherë në mendjet dhe zemrat tona. Ngushëllime të sinqerta familjes Haxhiu, miqve dhe të afërmve të tij”, ka shkruar kryetari aktual i Vitisë, Sokol Haliti.
Deliu fillimisht është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të rastit, nën dyshimet për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Pas ndalimit fillestar, ndaj tij është vendosur masa e arrestit shtëpiak.
Biznesmeni, Naser Deliu kishte konfirmuar edhe vetë për Insajderin caktimin e masës së arrestit shtëpiak.
“Arrestimi është bërë ashtu siç e ka paraparë gjyqtari dhe prokurori. Tre persona janë arrestuar, dy janë liru dhe i treti është në paraburgim një muaj. Unë jam Naseri vet. Jam në arrest shtëpiak”, tha ai në një prononcim për Insajderin.
Përveç Deliut, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, por ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Si ndodhi aksidenti ku mbeti i lënduar rëndë 23 vjeçari, Rinor Haxhiu
Punëtori Rinor Haxhiu, 23-vjeçar nga fshati Kabash i Vitisë, ka pësuar lëndime të rënda pasi ra nga kati i gjashtë i një objekti ndërtimor në Gjilan, ku ishte duke punuar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për mediat se rasti ka ndodhur të premten, më 24 tetor 2025, në orët e pasdites.
“Sipas informacioneve fillestare, punëtori kishte qenë duke punuar në një objekt ndërtimor në Gjilan, kur dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kati i gjashtë. Si pasojë e rënies, ai ka pësuar lëndime të rënda trupore”, – tha Hashani.
I lënduari është dërguar fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë është transferuar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
Kush është biznesmeni Naser Deliu
Sipas Regjistrimit të Bizneseve, Naser Deliu është pronar i dy kompanive. Ai është pronari i vetëm i kompanisë së ndërtimit “Valoni Company” dhe bashkëpronar i kompanisë “Valoni Titan”, ku ndodhi aksidenti.
Deliu ishte përfolur edhe më herët në media lidhur me një rast të një familjari të tij. Djali i axhës së tij ishte lënë i lirë pas kishte goditur për vdekje një qytetar në Skenderaj.
 
			 
			












