Në kohën kur Kuvendi ka dështuar 23 herë radhazi të konstituohet dhe vendi është pa Qeveri të re, Zyra e Kryeministrit në detyrë ka hapur tender për angazhimin e një eksperti të jashtëm në fushën e gjeodezisë. Kontraktori “me fat” që do të përzgjidhet, sipas vlerës së parashikuar, do të paguhet prej 11,500 euro, që përkthehet në 1,150 euro rrogë mujore. Insajderi ju sjell detajet.
Zyra e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, para disa ditëve, ka hapur tender për angazhimin e një “Eksperti për shërbime të veçanta”.
Titulli i kontratës është “Ekspert për shërbime të veçanta – kontraktor individual”.
Vlera e parashikuar e kontratës është 11 mijë e 500 euro.
Sipas përshkrimit të dosjes së tenderit, kontraktori individual do të angazhohet për 10 muaj. Që sipas kalkulimit, individi që do të shpallet fitues, rrogën mujore do ta ketë 1150 euro.
Në dosje, janë të cekura edhe metodologjia e kalkulimit të pikëve për përzgjedhjen e ekspertit individual.
Bëhet e ditur se eksperti duhet të jetë i diplomuar në shkencat e gjeodezisë.
Dhe të jetë minimumi pesë deri në shtatë vite përvojë punë në fushën e gjeodezisë.
Afati për dorëzimin e tenderëve është deri me 10 qershor 2025.
Ndërkohë, ngërçi i krijuar në Kuvend është duke u vazhduar. Nesër deputetet do të mblidhen për herë të 24’të për konstituim të kuvendit. Kjo pasi që plot 23 herë është dështuar.
Lëvizja Vetëvendosje insiston në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të kuvendit, ndërsa partitë opozitare dëshirojnë një person me të unifikuar.
E përkundër kësaj që Kosova ende nuk ka Qeverisje të re, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrat në detyrë po vazhdojnë të marrin vendime.