Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka publikuar pamje nga vënia e gurthemelit të kompleksit të banimit social në Istog.
Ai ka thënë se do të jenë 65 banesa, 52 për banim të përballueshëm dhe 13 për banim social.
“65 banesa të reja, prej tyre 52 për banim të përballueshëm dhe 13 për banim social, të katër tipeve të ndryshme (53 m2, 66 m2, 77 m2 dhe 87 m2) në Kompleksin e ri që filloi të ndërtohet sot në Istog.”
Kurti ka shtuar se përfitues do të jenë çiftet e reja dhe familjen që përbëhen nga prindi vetushqyes bazuar në dy kritere që nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit dhe mosha e së paku njërit nku njërit në çift të jetë nën 37 vjeç.
“Qysh në vitin e parë të mandatit kemi miratuar Agjendën Qeveritare për Banim të Përballueshëm dhe Social, që synon qasjen në banim të denjë e të përballueshëm për të gjithë qytetarët bazuar në tri parime themelore: gjithëpërfshirje, mos-segregim dhe diversitet. Prej atëherë, kemi kryer studime të fizibilitetit, kemi ndryshuar ligjin, e kemi hapur thirrjen publike për Komunat dhe sot hodhëm gurthemelin e parë. Përfitues nga programi ynë për banim të përballueshëm do të jenë çiftet e reja dhe familjet që përbëhen nga prindi vetushqyes, bazuar në dy kritere: 1) nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit; dhe 2) mosha e së paku njërit në çift të jetë nën 37 vjeç.”
Ai ka thënë se objekte të tilla do të ndërtohen edhe në katër komuna tjera.
“Veçanti e këtij projekti në Istog, sikurse edhe në katër komunat tjera në të cilat presim të fillojmë punimet, është që në njërën anë po e kombinojmë banimin social me atë të përballueshëm dhe në anën tjetër komplekset po i ndërtojmë në zonat e reja zhvillimore të qyteteve, në mënyrë që mos të ketë segregim të rasteve sociale që shpie në getoizim të vendbanimeve tyre, siç ka ndodhur në të kaluarën, por të ketë integrim, ndërveprim dhe bashkëjetesë e cila shpie në integrim e barazi shoqërore si dhe mobilitet e kohezion shoqëror. Falënderoj komunën për lokacion e infrastrukturën përcjellëse, dhe ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për investimin kapital të ndërtimit që arrin vlerën prej 4.9 milionë euro.”
Pasi hodhi në lopatë me çimento, Kurti bëri një formulim interesant: “Për jetesë, nevojitet banesë”.