Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar me veto një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të bënte thirrje për “armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm” në Gaza, ndërsa 14 shtete të tjera anëtare të këtij institucioni votuan “për”.
Në rezolutën e bllokuar nga Uashingtoni, situata në Gaza quhej “katastrofale” dhe me të kërkohej “heqje e menjëhershme dhe e pakushtëzuar e të gjitha kufizimeve ndaj hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza dhe shpërndarja e tyre e sigurt dhe e papenguar në shkallë masive, përfshirë nga OKB-ja dhe partnerët humanitarë”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Kjo ishte hera e pestë që Shtetet e Bashkuara bllokuan me veto një draft-rezolutë të Këshillit të Sigurimit për armëpushim me qëllim që ta mbrojnë Izraelin. Uashingtoni kishte bllokuar me veto një rezolutë të ngjashme në nëntor, në kohën e administratës së ish-presidentit Joe Biden, me arsyetimin se kërkesa për armëpushim nuk ishte drejtpërdrejt e lidhur me lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjitha pengjeve nga Hamasi.
Draft-rezoluta ishte bashkësponsorizuar nga Algjeria, Danimarka, Greqia, Guajana, Pakistani, Panamaja, Koreja e Jugut, Sierra Leone, Sllovenia dhe Somalia. Në favor të saj votuan edhe katër anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit: Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina.
“Sot, Shtetet e Bashkuara dërguan një porosi të fuqishme përmes vetos ndaj një rezolute kundërproduktive të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën që e kishte në shënjestër Izraelin” – tha pas votimit në një deklaratë sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio.
Sipas tij, Uashingtoni nuk do të përkrahë asnjë tekst që “tërheq një barasvlerë të rreme mes Izraelit e Hamasit ose që e shpërfill të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten”.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që të qëndrojnë me Izraelin në OKB” – thuhet më tej në deklaratën e kryediplomatit amerikan.
Izraeli e mirëpriti veton e ShBA-së. “Unë i falënderoj presidentin amerikan dhe administratën e ShBA-së që po qëndrojnë krah për krah me Izraelin dhe për veton ndaj kësaj rezolute të njëanshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së” – shkroi ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar. “Rezoluta e propozuar vetëm e forcon Hamasin dhe i minon përpjekjet amerikane për të arritur një marrëveshje për pengjet” – shtoi ai.
Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut e mbështeti rezolutën. Në një deklaratë, ambasadorja britanike në OKB, Barbara Woodward, e quajti “çnjerëzor” sistemin e ri të Izraelit për shpërndarjen e ndihmave në Gaza dhe tha se ku shtet “duhet t’u japë fund tani kufizimeve të tij ndaj ndihmave”.
“Vendimet e qeverisë izraelite për t’i zgjeruar operacionet e veta ushtarake në Gaza dhe për t’i kufizuar ashpër ndihmat janë të pajustifikueshme, joproporcionale dhe kundërproduktive dhe Mbretëria e Bashkuara i kundërshton plotësisht ato” – tha diplomatja britanike./Nacionale