Partia Vetëvendosje janë mbledhur me kryetarët e qendrave të partisë nëpër komuna të Kosovës për të folur për zgjedhjet lokale si dhe për organizimin e “Javës së Lëvizjes së populit”.
Në komunikat për shtyp, aty ankohen edhe për bllokimin e Kuvendit të Kosovës, ku nuk kanë shumicë parlamentare – për çka thonë se “opozita po bllokon”.
Postimi i Vetëvendosjes.
Mbledhja me Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë
Sot, në zyrën tonë qendrore u mbajt mbledhja e përbashkët me drejtuesit e qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë.
I pranishëm në mbledhje ishte Kryeministri i Republikës, njëherazi Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, sekretari organizativ Alim Rama dhe koordinatori i qendrave, Salih Zyba.
Kryeministri Albin Kurti foli për situatën aktuale politike në vend, për bllokimin që opozita po ia bën Kuvendit të Kosovës përmes mospjesëmarrjes në votim, si dhe për vijueshmërinë e punëve të Qeverisë, e cila është në detyrë dhe po kryen punën për qytetarët e saj, në shërbim të tyre.
Në diskutim u theksua rëndësia e përgatitjes sa më të hershme për zgjedhjet lokale, me theks të veçantë në mobilizimin e strukturave organizative në terren dhe angazhimin e vazhdueshëm me qytetarët.
Një nga temat kryesore të takimit ishte edhe Java e Lëvizjes, ngjarje tashmë tradicionale e organizatës sonë, që fillon më 10 qershor me Lidhjen e Prizrenit e përfundon më 17 qershor me datëlindjen e intelektualit dhe profesorit Ukshin Hoti. Këtë vit, po ashtu, data 12 qershor përveç ditës së çlirimit, shënon 20-vjetorin e Lëvizjes sonë, Lëvizjes së popullit.
Përgatitjet për aktivitetet që shënojnë këtë javë tashmë kanë nisur në të gjitha nivelet organizative.
Strukturat tona organizative, gjithandej lagjeve e fshatrave, janë të gatshme për procesin e zgjedhjeve lokale, për qeverisjen e mirë lokale që i duhet komunave, lagjeve e fshatrave.