Parcelat bujqësore, banesat e parkingjet të 22 të arrestuarve për trafikim të narkotikëve nga operacioni “Qielli i Thyer” kërkoheshin të sekuestroheshin nga ana e Prokurorisë Speciale. Përveç pasurisë së paluajtshme, përgjatë operacionit organet e rendit kishin sekuestruar ora e vetura të markave luksoze, si dhe para të gatshme. 22 të dyshuarve iu janë ngrirë edhe xhirollogaritë bankare personale dhe atyre biznesore.
Prokuroria Speciale krahas kërkesës për parashtrimin e parë të caktimit të masës së paraburgimit në qershor të këtij viti, pas arrestimit të 22 të dyshuarve për narkotikë, kishte kërkuar edhe që të sekuestroheshin pasuritë e paligjshme.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë kërkesën e Speciales për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar, ku përfshihet sekuestrimi i pasurisë së paluajtshme.
Insajderi ka arritur të shohë pasurinë e paluajtshme të disa prej të dyshuarve që ranë në pranga përgjatë një nga operacioneve më të mëdha kundër drogës.
Për Avni Rekaliun janë kërkuar që të sekuestrohen 19 parcela bujqësore në posedim të tij në Bajçinë të Podujevës, një sosh në Prishtinë, një garazh dhe një depo.
Ndërkaq, për Shemsi Bahtirin, të dyshuarin tjetër të arrestuar për drogë i cili ishte edhe pjesë e strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje, është parashtruar në qershor kërkesa për sekuestrimin e një lokali në Fushë Kosovë dhe nëntë parcelave bujqësore në Kolovicë të Prishtinës.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që Mentor Imamit t’i sekuestrohen dy banesa në Prishtinë, një parcelë bujqësore në Fushë Kosovë dhe një në Çagllavicë.
Ragip Bislimit në qershor prokuroria kërkoi t’ia sekuestronte 24 parcela bujqësore në Brestovik të Pejës dhe tetë parcela bujqësore në Sigë.
Ndërkaq për Edin Berishën, për të cilin Gazeta Insajderi raportoi se është edhe aksionar i klubit ‘FC Suhareka‘, u kërkua sekuestrimi i dy ndërtesave në Çagllavicë, nëntë parcelave bujqësore në po të njëjtën komunë dhe një në Grejçevc të Suharekës.
Në arsyetimin e Prokurorisë Speciale për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ndaj 22 të dyshuarve thuhej se të pandehurit në vazhdimësi kanë tjetërsuar pronat e specifikuar, si dhe kanë mbuluar prejardhjen e pasurisë së përfituar nga veprat penale duke u munduar që përmes dokumentacionit ta paraqesin si pasuri të ligjshme.
“Andaj një mundësi e tillë do të mund ta shfrytëzojnë sërish, që në mundësinë e parë, gjë që do të rrezikonte ruajtjen e vlerës së pasurisë nga tjetërsimi apo ndonjë mënyrë tjetër të zhvlerësimit të saj, duke e pamundësuar konfiskimin e tyre përfundimtar në fazat e mëvonshme të procedurës penale“, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Prokurorisë.
Krahas kësaj, Gazeta Insajderi ka pasur qasje edhe në një dokument ku tregon se çfarë është sekuestruar nëpër shtëpitë e 22 të arrestuarve. Aty përfshihen ora dhe vetura të markave luksoze dhe para të gatshme në shumë të mëdha.
Siç shihet edhe në dokumentet bashkëngjitur, edhe Brilant Bahtirit, të birit të Shemsi Bahtirit, iu janë sekuestruar vetura, orë “Rolex”, unazë me ngjyrë ari dhe kartmonedha të ndryshme.
“Sa i përket sendeve të luajtshme, referuar faktit se lidhur me armët, për to parashihet konfiskimi automatik dhe si të tilla qarkullimi i lirë juridik i tyre është i ndaluar. Po ashtu armët dhe municioni në fazat e mëtutjeshme do të mund të përdoren si provë, konsiderojmë se është e nevojshme edhe ruajtja e tyre në dhomën e dëshmive së bashku me provat tjera. Sa i përket veturave, të njëjtat u kanë shërbyer të pandehurve për të transportuar narkotikët dhe një pjesë e tyre është përfituar si dobi pasurore që buron nga veprat penale nën hetim, andaj të njëjtat duhet të ruhen në depo të sigurte nga AAPSK deri në vendimin e gjykatës për konfiskim“, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së luajtshme.
22 të dyshuarve iu është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë në korrik të këtij viti nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?
22 të dyshuarit vepronin si grup kriminal. Ata porosinin substanca narkotike të llojit: kokainë, heroinë dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia. Destinacioni ishte Kosova.
“Aktivitetin e tyre kriminal e realizojnë fillimisht duke aranzhuar porosit e narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes pjesëtarëve të këtij grupi sigurohen që narkotikun ta fshehin nëpër kontejner të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunker duke e kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikut, të njëjtën përmes rrugëve tokësore, porteve detare, përmes Shqipërisë, Maqedonisë se Veriut e sjellin në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Siç thotë Prokuroria, për ta shtuar sasinë e narkotikut, të dyshuarit e përziejnë me sodë buke dhe përzierës të tjerë dhe e transportojnë për në Serbi, Bosnje, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Një sasi tjetër e shesin në Kosovë.
Në dosje thuhet se të dyshuarit s’kursejnë asnjë formë për ta mundësuar transportimin e drogës jashtë shtetit.
“Të pandehurit nuk kursejnë asnjë mjet për të ja arritur qëllimit, qoftë duke korruptuar zyrtarë shtetërorë, e në raste të caktuara edhe duke eliminuar fizikisht ndonjë anëtar të grupit nëse i njëjti nuk vepron sipas udhëzimeve të grupit të organizuar kriminal”, thuhet ndër të tjera.
Prokuroria në kërkesë bëri të ditur se përgjatë viteve 2024 dhe 2025 ka pranuar një pjesë të transkriptave të përgjimeve të Sky ECC të siguruara nga Franca përmes EUROPL-it dhe Belgjikës. Këto raporte, janë siguruar përmes bashkëpunimit të Kosovës me EUROPOL-in dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar me Francën.